Një 35-vjeçar është arrestuar në Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Sipas informacioneve policore, Ardian Ramushi u kap me 320 gram kokainë të ndarë në doza, gjatë një kontrolli fizik.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Ramushi, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, furnizonte disa persona të tjerë të cilët dyshohet se e ndanin dhe e shitnin lëndën narkotike, në doza.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Terminal”.
Sekuestrohen rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Terminal”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Arben Broci”, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik, i gjetën rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, furnizonte disa shtetas të cilët dyshohet se e ndanin dhe e shitnin lëndën narkotike, në doza.
Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.