Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, është konfirmuar në detyrë, pasi ka kaluar me sukses procesimn e Vetingut. Gjatë seancës, KPK gjykoi se Premçi kishte burime të ligjshme për pasurinë e tij dhe përshtatshmëri të figurës.
Trupa gjykuese për Prençin udhëhiqej nga Genta Tafa Bungo dhe me anëtare Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.
Hetimi administrativ i kryer nga KPK arriti në përfundimin se prokurori Dritan Prençi zotëron si pasuri një apartament në Kashar si dhe një sipërfaqe toke të përfituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja e tij.
Gjithashtu, Komisioni ka marrë në administrim raportin e DSIK, i cili konfirmonte përshtatshmërinë e prokurorit me detyrën si dhe dy kallëzime në emër të tij, të cilat nuk rezultuan me probleme pas verifikimit.
Prokurori Dritan Prençi u shpreh i kënaqur me rezultatin e rivlerësimit.
“Jam njohur me të gjitha aktet e hetimit dhe jam dakord me rezultatet. Ishte një proces i rregullt hetimor,” tha prokurori Prençi.
Dritan Prençi e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në rrethin e Tropojës. Ai ka shërbyer për disa vite si prokuror dhe drejtues prokurorie në Tropojë, Kukës dhe Kurbin përpara se të emërohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prençi është gjithashtu kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
(E.K/FAXWEB.AL)