Një grup prej 27 emigrantësh, të cilëve u është refuzuar azili në Itali, kanë mbërritur në portin e Shëngjinit pasi u nisën mëngjesin e së martës, të transportuar nga anija “Spica” e Marinës Ushtarake Italiane.
Pas zbarkimit, emigrantët u dërguan drejt kampit të Gjadrit, ku do të mbahen në përputhje me rregullat dhe protokollet e vendosura nga marrëveshja mes dy qeverive.
Ky është kontingjenti i tretë i ardhur në Shqipëri në kuadër të dekretit të ri të Italisë, i cili parashikon që emigrantët të qëndrojnë në strukturën e Gjadrit për një periudhë të përkohshme, përpara se të deportohen në vendet e tyre të origjinës, me një afat maksimal prej 18 muajsh.