Vajza e presidentit amerikan dhe njëkohësisht këshilltarja e lartë e tij, Ivanka Trump, ka realizuar një vizitë në bazën ushtarake amerikane në Katar për t’i falënderuar ushtarët për punën e tyre.
Këshilltarja amerikane arriti në Katar të shtunën e kaluar bashkë me sekretarin e thesarit, Steven Mnuchin. Ajo e vizitoi bazën ajrore “Al Udeid” për t’i falënderuar ushtarët për shërbimin që po ia bëjnë atdheut.
Bashkë me disa fotografi që i publikoi nga kjo vizitë, Ivanka Trump shkroi: “Ishte nder që ta vizitoja bazën Al Udeid, qendrën më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, për t’i falënderuar burrat dhe gratë e guximshme që e mbajnë Amerikën të sigurt”.
Vajza e presidentit amerikan e filloi udhëtimin zyrtar në Katar për të marrë pjesë në takimet me liderët qeveritarë dhe biznesorë dhe për të diskutuar për objektivat ekonomike, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit.
Ky është udhëtimi i parë i këshilltares amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme në dy vjetët e fundit. Ajo e kishte vizituar Arabinë Saudite së bashku me babanë në vitin 2017.
Në Forumin Vjetor të Doha-s marrin pjesë shumë liderë botërorë, të cilët diskutojnë për çështjet kryesore në botë.
Në këtë bazë ajrore të forcave amerikane ndodhen rreth 10 mijë ushtarë të Shteteve të Bashkuara, shkruan “Daily Mail”.
Discussion about this post