Ivanka Trump ka shprehur urimet e saj për të atin, Donald Trump, pas inaugurimit të tij si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, ajo vlerësoi vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e Trump ndaj vendit.
“Urime babait tim për inaugurimin si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara! Jam krenare për vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj vendit tonë. Ky moment është historik dhe mbresëlënës,” shkroi Ivanka.
Ajo shtoi se lutjet e saj janë që babai i saj të udhëhiqet nga forca, mençuria dhe dhembshuria në çdo vendim që do të marrë gjatë mandatit të tij.
“Lutja ime është për forcë, mençuri dhe dhembshuri që të udhëheqin çdo vendim të tij. Uroj që të udhëheqë me mirëkuptim dhe zemër të hapur, duke u përpjekur të sjellë unitet aty ku ka përçarje dhe paqe aty ku ka konflikt,” shkroi ajo.
Ivanka gjithashtu bëri thirrje për mbështetje dhe unitet mes amerikanëve, duke përfunduar mesazhin e saj me urimin:
“Le të mbështesim njëri-tjetrin si amerikanë dhe Zoti e bekoftë dhe udhëheqtë babanë tim dhe të gjithë ne.”