“Kasaforta e parave të pista të familjes Berisha” e quan Izet Haxhia, Ismail Mulletin, biznesmenin, emri i të cilit doli si një prej shqiptarëve të përfshirë në skandalin “Panama Papers”. Duhet të theksojmë që dy ditë më parë Komisioni Hetimor për aferën CEZ është vënë në dijeni nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri për një transfertë të dyshimtë në llogarinë e shtetasit Shkëlzen Berisha më datë 22 qershor 2009.
Sipas informacioneve thuhet se llogaria në Euro e Shkëlzen Berishës është shtuar me 200.000 Euro. Komisioni ka dyshime se kjo transfertë mund të ketë lidhje me shumën e tërhequr cash nga Nue Nik Kalaj në një bankë tjetër 6 ditë para se të realizohej transferta. Për këtë qëllim po hetohet edhe shtetasi Ismail Mulleti. Gazeta Dita i ka marrë një intervistë Izet Haxhias për këtë çështje. Sipas Haxhisë, Mulleti është kasaforta e parave të pista të familjes Berisha. Por ai e lidh dhe me ngjarje kriminale të cilat lidhen me bombën të VEFA, por dhe atentatet ndaj fisit Haklaj.
Intervista:
Izet, nga hetimet në komisionin CEZ ka dalë dhe emri i Ismail Mulletit (Il Mulletit). Në bazë të informacioneve tuaja kush është ky person?
Po e lexova nga mediat dhe nuk me çuditi dalja e këtij emri e personi të cilin e njoh mirë. Para ca muajsh kur doli skandali i Pananama Papers dhe u përmend emri i Ismail Mulletit apo (Il Mulletit siç e thërrasin në PD) shumë pak njerëz e njihnin këtë person dhe lidhjet e tij me kupolën e PD dhe familjen Berisha. E theksova edhe atëherë se Il Mulleti ka qenë kasaforta e parave të pista të PD të fituara nga trafiqet e paligjshme dhe kryesisht ato të kontrabandës së naftës duke thyer embargon e Kombeve të Bashkuara ndaj ish-Jugosllavisë, nën mburojën e firmës Shqiponja të PD në të cilën ky Il Mulleti ishte bashkëpronar me Tritan Shehun, kuptohet me bekimin dhe dijeninë e Berishës.
Ky person, Il Mulleti ka qenë edhe sponsor i vendosjes së bombës tek firma VEFA më 26 shkurt 1996 me porosi të SHIK-ut dhe dijeninë e plotë të Berishës. Vetë fakti që autorët e vendosjes së kësaj bombe ishin badigardi i tij, Anton Gjergji dhe vëllai i Mulletit i cili u vra më vonë tek lokali Admiral i cili ishte në pronësi po të Mulletit. Dhe është mëse normale që një personi të tillë që ka kryer krime monstruoze me porosi të familjes Berisha, kjo familje kriminale t’i besonte administrimin e një pjese të parave të grabitura shqiptarëve dhe të bëra me gjakun e këtij populli, këtij personi…
Nuk është rastësi që ky person sponsorizoi komandon me në krye badigardin e tij Anton Gjergji që vranë Haklajt së bashku me ”kasafortën” tjetër të familjes Berisha, trafikantin e drogës, prostitutave dhe vrasësin Miftar Lymneshi dhe ”çuditërisht” ky Lymneshi është personi kryesor që në emër të tij janë regjistruar pronat e familjes Berisha, sepse lidhja e tij me familjen Berisha është edhe me anë të krushqisë që ka bërë, ku djali i tezes se Lymneshit është martuar me mbesën e Berishës. Ky dhëndri i Berishës ka qenë edhe pjesëmarrës direkt në vrasjet ndaj Haklajve…
Jeni takuar ndonjëherë me të?
Emri i këtij personi ka qenë shumë i njohur për mua sepse nuk e hiqte nga goja Aida Shehu, kur ishim me Ilin për darkë shkuam me Ilin në Greqi etj., por mesa më kujtohet hera e parë që e kam parë, ka qenë ose fundi i vitit 1994 apo fillimi i 1995 kur ky i famshmi Il Mulleti së bashku me Tritan Shehun erdhi për takim tek vila katër me Berishën në orët e vona të natës. Pastaj më ka rënë rasti ta shoh edhe tek PD ku ai e kishte si shtëpinë e dytë…
Pak kohë më parë ju keni përmendur dhe personazhin Ylli Peci, a kanë lidhje këta me njëri-tjetrin?
Po edhe prania e Ylli Pecit në këtë ndërmarrje mafioze nuk është e rastësishme, këtij personi iu besua sabotimi dhe pengimi i çështjes time në lidhje me vrasjen e Hajdarit në Strasburg. Janë përdorur deri blerje gjykatësish nga ana e tij, kuptohet me paratë e familjes Berisha për të blerë vendimin e gjykatës, vetë ecejaket e pafund të këtij Yllit nga Strasburgu në zyrën e Berishës dhe anasjelltas e vërtetojnë këtë dhe fakti që ky person pasi mbaroi me sukses misionin e ngarkuar nga Berisha në Strasburg, filloi punë si avokat pikërisht ne Panama Papers në Londër si avokat, pra në bankën of shore ku janë një pjesë e parave të familjes Berisha në emër të Il Mulletit… (J.V/Shuplaka)