Sulmet ajrore izraelite në Gazë goditën një shkollë të OKB-së që strehonte familje të zhvendosura palestineze si dhe dy shtëpi, duke vrarë të paktën 34 njerëz, mes tyre 19 gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët e spitalit. Një zyrtar i OKB-së tha se gjashtë punonjës të agjencisë ishin mes të vdekurve.
Lufta në Gazë është në muajin e 11-të, me dhjetëra mijëra njerëz të vdekur ndërsa kanë ngecur përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant Hamas. Palët e akuzojnë njëra-tjetren se bëjnë kërkesa shtesë dhe të papranueshme.
Të mbështetura nga ajri, trupat izraelite filluan bastisje në disa qytete të Bregut Perëndimor të pushtuar. Izraeli vazhdon operacionet në të gjithë territorin me justifikimin se ka në shënjestër militantët, por ka shkatërruar lagje dhe ka vrarë civilë, sipas njoftimeve.
Një sulm ajror vrau pesë persona për të cilët ushtria tha se ishin militantë që kërcënonin trupat e saj. Një goditje e dytë mbi një makinë vrau të paktën tre persona, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.
Një sulmues përplasi një autobot me karburant në një stacion autobusi në Bregun Perëndimor pranë vendbanimit izraelit GIvat Assaf, duke vrarë një ushtar izraelit, tha ushtria. Zyrtarët thanë se ushtarët dhe një civil i armatosur e “neutralizuan” sulmuesin.
Sulmi në shkollën e djemve “al-Jaouni” të OKB-së, në kampin e refugjatëve Nuseirat, shkaktoi të paktën 14 të vrarë, përfshirë dy fëmijë dhe një grua, thanë zyrtarët e spitaleve “Awda” dhe “al-Aksa Martirs”. Të paktën 18 persona të tjerë u plagosën, thanë autoritetet.
Ushtria izraelite tha se kishte vënë në shënjestër militantët e Hamasit që planifikonin sulme nga brenda shkollës. Pretendimi nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.
Shkollat e Gazës janë të mbushura me dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre si rezultat i ofensivës izraelite dhe urdhrave të evakuimit. Shkolla “al-Jaouni” në Gazë, e drejtuar nga agjencia e OKB-së për palestinezët, UNWRA, është goditur disa herë gjatë luftës.
Agjencia UNRWA tha se gjashtë punonjës të saj që ndihmonin të zhvendosurit, përfshirë menaxherin e strehës, u vranë.
“Ekipet humanitare, ambientet dhe operacionet janë shpërfillur në mënyrë të hapur dhe të pandërprerë që nga fillimi i luftës”, shkroi drejtori i agjencisë, Philippe Lazzarini, në rrjetin X.