Forcat izraelite kanë ndërhyrë në anijen humanitare “Madleen”, e cila ishte nisur drejt Rripit të Gazës me qëllim dorëzimin e ndihmave për popullatën civile palestineze. Në bord ndodheshin 12 aktivistë të të drejtave të njeriut nga vende të ndryshme të botës. Lajmi u konfirmua nga Koalicioni i “Flotiljes së Lirisë” përmes një deklarate në platformën Telegram.
Sipas koalicionit, ushtria izraelite ka hipur në bordin e anijes dhe ka ndërprerë çdo kontakt me të. “Vullnetarët që ndodheshin në ‘Madleen’ janë rrëmbyer nga ushtria izraelite,” thuhet në deklaratë. Koalicioni u ka bërë thirrje qeverive të vendeve përkatëse të ndërhyjnë për të garantuar sigurinë e shtetasve të tyre.
Ndërkohë, aktivistja gjermane Yasemin Acar arriti të publikojë një video të shkurtër pak para ndërhyrjes, ku dëgjohet një zë që mendohet të jetë i një ushtari izraelit që u kërkon pasagjerëve të fiknin telefonat. Në pamje shihen edhe duart e ngritura të Acar, duke sugjeruar se aktivistët ishin urdhëruar të dorëzoheshin.
Raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e palestinezëve, Francesca Albanese, ka bërë të ditur në rrjetin X (ish-Twitter) se kishte qenë në kontakt me kapitenin e anijes në momentin e ndërhyrjes. “Dëgjova zëra ushtarësh në telefon. Lidhja u ndërpre kur kapiteni tha: ‘Po afrohet një varkë tjetër’,” shkruan Albanese, duke theksuar se askush nuk ishte lënduar deri në atë moment.
Në bord ndodheshin aktivistë nga disa shtete, përfshirë eurodeputeten franceze Rima Hassan, gazetarin Omar Faiad dhe aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg. Po ashtu, pjesë e ekuipazhit ishin edhe shtetas nga Gjermania, Turqia, Brazili, Spanja, Holanda dhe Franca.
Misioni humanitar kishte si qëllim dorëzimin e ndihmave për civilët palestinezë që përballen me krizë të thellë humanitare dhe uri ekstreme si pasojë e bllokadës së vazhdueshme në Gaza.
Autoritetet izraelite ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi ndërhyrjen dhe fatin e aktivistëve.