Pas lajmit të kapjes në Rinas të një shtetasi izraelit me një pajisje përgjuese, Policia e Shtetit zbulon detajet e ngjarjes.
51-vjeçari izraelit Yoram Frig është ndaluar nga shërbimet e policisë kufitare Rinas, kur po largohej nga territori i Shqipërisë pasi u kap me një pajisje elektronike që dedekton përgjuesit. Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë të Rinasit.
NJOFTIMI I POLICISË
“Nisur nga informacione të marra, për hyrjen e shtetasit (të huaj) Izraelit, F.Y, 51 vjeç, në pikën e kalimit kufitar Rinas, me një pajisje elektronike, Sektori për Krimin Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, filloi veprimet verifikuese dhe procedurale në bashkëpunim me Njësinë e Prokurorisë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm.
Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e policisë kufitare Rinas, në momentin që ishte duke dalë nga territori i Shqipërisë dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë, Rinas. Pas mbajtjes së personit në ambientet e Komisariatit Rinas, në drejtimin e Prokurorit, u bë këqyrja e kësaj aparature elektronike dhe pritet akt ekspertimi, për te përcaktuar se çfarë funksion kryen, njëkohësisht iu konstatua edhe një aparat telefonik i markës “IPHONE”. Këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale me urdhër të prokurorit të gatshëm. Ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Tiranë, ku në prezencën e një përkthyesi ligjor po intervistohet nga prokurori i çështjes.” (D.D/Shuplaka)