Shqipëria është vendi i çudirave, kjo është fjala e parë që të vjen në mend, teksa mendon për javën që lamë pas, ku në rrjetet sociale qarkullonin pamjet e një superjahti që kishte mbërritur në qytetin e Sarandës.
Padyshim që nëse sheh fillimisht fotot, do të mendosh sa me fat është Shqipëria, që pret turistë të një kalibri të tillë, por zhgënjehesh shpejt, kur kupton se jahti vjen në portet shqiptare për të mbushur serbatorin me naftë, dhe jo për t’u kredhur në detin Jon pronarët rusë të tij.
Jahti, i cili është i pagëzuar me emrin “Saling Jaht A” është në pronësi të miliarderit rus Andrey Igorevich Melnichenko, nuk e ka herën e parë që hedh spirancën në portet shqiptare. Me naftën që për jahtet në vendin tonë është diku te 60 lekë të reja, duket se pronarët e tij kanë mbetur të kënaqur, dhe i kanë rënë lapsit, duke ditur se në vendet fqinje, nuk mund të furnizohen me më pak se 1.5 dollarë për litër.
Nëse një fermeri në Lushnje, apo në Fier, apo pse jo dhe një kultivuesi të patates në Kukës, kompanitë e naftës, e më tutje qeveria shqiptare, për shkak të ligjit të akcizës apo taksës së qarkullimit i marrin 160 lekë për litër, miliarderëve rus, i kursejmë mijëra euro me një të mbushur.
Mësohet se jahti luksoz, që ka kushtuar një pasuri, është furnizuar me të paktën 700 ton naftë në portin e Sarandës.
Jahti është ndërtuar në afërsi të Hamburgut në Gjermani, dhe është jahti më i gjatë në botë, 143 metër dhe kalon lartësinë 91 metër të Statujës së Lirisë, dhe peshon 12.600 ton. Brenda tij ka pishinë dhe pistë për uljen e avionëve të vegjël. Kujtojmë që më datë 28 korrik Melnichenko ankoroi të njëjtin jaht në të njëjtin vend në bregdetin shqiptar, sërish për të njëjtin mision, të mbushemi me naftë të lirë ”shqiposh”.
Me një vendim të qeverisë së Edi Ramës jahtet në Shqipëri e marrin naftën lirë, për shkak se nuk paguajnë 35 lekë për litër akcizë, 27 lekë për litër për taksën e qarkullimit, si dhe 30 lekë për litër TVSH. Sipas qeverisë përjashtimi nga këto taska bëhet pasi nafta e jahteve konsiderohet rieksport.
Për të bërë dallimin me këtë ligj, që aspak nuk i shërben turizmit, mjafton të themi se në Francë çmimi i naftës së jahteve është eshte 1.54 dollarë për litër, më shtrenjtë se nafta për makinat, pasi qeveria e Francës i ka vënë një taksë luksi, ndërkohë që në Itali çmimi i naftës për jahtet është 1.72 dollarë për litër.
Kështu që herë tjetër sa herë që të mendoni për superjahtet që vizitojnë portet për pak orë, mendoni për ndotjen që i shkaktojnë bregdetit tonë gjigandë të tillë detarë, dhe mos harroni mijëra fermerët, qytetarët, taksapaguesit, që e paguajnë naftën në vendin e nëntokës së pasur ”sa frëngu pulën”.
(E.K/Faxweb.al)