“Jam e detyruar të vrasë veten” kështu e nis rrëfimin e saj kjo nënë e vuajtur nga fshati Rrasë në bashkinë Belsh. 50- vjecarja Adelina Meta rrëfen vuajtjet dhe vështirësitë që po kalon ajo dhe familja e saj nga kushtet ekonomike.
Prej 5 vitesh kur vendosën të ndërtonin një shtëpi me blloqe, familja Meta është detyruar të kalojë plot 5 dimra të acartë, në një banesë pa dyer, dritare, tavan dhe me orjendi të dala jashtë funksionit. Sikur të mos mjaftonin kushtet ekonomike, kjo nënë vuan edhe dhunën që përjeton cdo ditë nga djali i saj i cili ka probleme me shëndetin mendor.
Mbledhja e bimëve mjekësore është e vetmja mënyrë mbijetese për 4 anëtarët e familjes Meta në Belsh. Mungesa e parave, ka bërë që prej disa vitesh djali i sëmurë të mos kryej vizita, ndërsa vëllai i tij është penalizuar nga shteti grek, ndaj e ka të pamundur të emigrojë.
‘’Ne duam të në bëhet një shtëpi, edhe çunin të kem ilaçe. Jam bërë më keq se djali i sëmurë, vjen te koka dhe më thotë do të mbys kur fle. S’kemi as dyer as dritare”, shprehet Adelina Meta.
Kryefamiljari e ka të pamundur t’i ndalë lotët, ndërsa tregon kalvarin e vuajtjeve dhe premtimet boshe, që ka marrë sa herë ka kërkuar ndihmë.
Burrë e grua të lodhur nga kjo jetë e mundimshme, shpresat i kanë të pakta, por gjejnë forcë të apelojnë për ndihmë.
“Siç e shihni vetë ne kërkojmë ndihmë për shtëpinë dhe për djalin, 105 mijë lekë që merr ai na duhen për ilaçe. Më hoqën gjysmën e asistencës ngaqë merrte djali kemp”, shprehet Besim Meta.
Për rastin e familjes Meta, u interesuam edhe në bashkinë e Belshit. Burime zyrtare nga kjo e fundit na bënë me dije se për këtë vit pushteti lokal ka në plan të ndihmojë 120 familje në nevojë për t’u rikonstruktuar shtëpite dhe pjesë e listës është edhe familja Meta, por që presin lëvrimin e fondit.
Përgatiti gazetarja e Fax News, Entela Duka: