Deputetja e re e Kuvendit, Izmira Ulqinaku, ka reaguar mjaft ashpër lidhur me zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi.
Mirëpo Ulqinaku ka një arsye më shumë që e kundërshton zgjedhjen e Ruçit. Ajo shprehet se flet si mbesa e një prej katër viktimave të dy prillit të 1991-it, Nazmi Kryeziut.
Ulqinaku e cila mori pjesë në protestën e djeshme të ish-të përndjekurve, i drejtohet kryeministrit Rama duke i thënë se pavarësisht se ai po mundohet të fshijë dosjet e Ruçit, ato mund të gjenden diku tjetër.
“Ndërsa ju zoti Kryeministër e kishit të gjithë mundesinë, që para se të merrnit vendimin provokativ ndaj popullit që e don dhe e mbron lirinë e vet në Shqipëri, të hulumtonit në dosjet e arkivit të kryeministrisë, të viteve 2003-2005, dhe do gjenit mjaftueshëm korrespondencë mes zyrës kryesore qeveritare shqiptare me MPJ për komunikim me State Department, Albanian Desk, pikerisht për personazhin që ju promovoni sot. Do kalojnë vite, dhe në qoftë se këto dokumente ju do t’i zhdukni në Shqipëri, ato kemi për t’i gjetur në National Archives.”, janë fjalët e Ulqinakut.
FJALA E ULQINAKUT
Nuk dua te flas si një deputete e re e Kuvendit të Shqipërisë por si mbesë e një nga 4 viktimat e 2 Prillit, mbesë e të ndjerit Nazmi Kryeziu.
Caktimi i Gramoz Rucit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, është më shumë se provokim! Është një akt i ri agresioni ndaj viktimave të pafajshme të regjimit komunist, drejtpërdrejt ndaj viktimave të 2 prillit! Pas 27 vitesh risjell në krye të Parlamentit, Ministrin e Brendshëm të fundit që pati Diktatura Komuniste në Shqipëri.
Ne sigurisht nuk kishim më shpresë që Edi Rama do ngrihej në nivelin për të dënuar krimet e komunizmit! Por ai shkoi shumë më larg… Ai dekoroi xhelatin me postin më të lartë publik, duke e vënë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues të vendit!
Sipas Edi Ramës, urdhëruesi i vrasjes së 4 Dëshmorëve të 2 prillit është përfaqësuesi më i lartë, më i vyer i popullit… Por ne e dimë, se kjo nuk është zgjedhja e popullit, e bashkëqytetarëve tanë të vuajtur! Kush i ka firmosur telegramet e natës së 1 prillit 1991, dhe urdhërdhënien ndaj mbrojtësve të komitetit të partisë së punës në Shkodër?
A mundet që vrojtuesit e delegacioneve të PPSh pranë partive simotra në vitet 1980′ të pretendojnë të luajnë rolin e ndërmjetësuesit të partive politike shqiptare në parlamentin e vitit 2017? A mundet që rojet e gardës, batalionit të sigurimit të byrosë politike dikur, të vendosen në majat e drejtimit të vendit?
Ndërsa ju zoti Kryeministër e kishit të gjithë mundesinë, që para se të merrnit vendimin provokativ ndaj popullit që e don dhe e mbron lirinë e vet në Shqipëri, të hulumtonit në dosjet e arkivit të kryeministrisë, të viteve 2003-2005, dhe do gjenit mjaftueshëm korrespondencë mes zyrës kryesore qeveritare shqiptare me MPJ për komunikim me State Department, Albanian Desk, pikerisht për personazhin që ju promovoni sot. Do kalojnë vite, dhe në qoftë se këto dokumente ju do t’i zhdukni në Shqipëri, ato kemi për t’i gjetur në National Archives.
Ju mund ta ricikloni sot Gramozin, por atë nuk mund t’ia pastroni shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm. Ky është produkt i mendjes kriminale, dhe aktivitetit kriminal me të cilin u blenë votat e u manipulua vullneti i qytetarëve! Kjo është një mazhorancë e fryrë nga droga e dhunimi i zgjedhjeve, dhe sigurisht ka nisur numërimi mbrapsht për të… …bashkë me të dhe e Edi Ramës, pinjollëve të komunistëve e xhelatëve të diktaturës! (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2750″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]