Moderatorja Einxhel Shkira ka lajmëruar se ka hequr dorë nga televizioni. Përmes disa statuseve në rrjetet sociale, Shkira shkruan se nuk dëshiron më që të jetë ‘pjeshka mbi taka’ dhe për këtë arsye ka hequr dorë nga çdo projekt televiziv. Einxhel Shkira shkruan gjithashtu se shumë shpejt do të sjellë një projekt që e bën atë të ndihet komode dhe të jetë vetvetja, e jo që të tjerët, sipas saj të përfitojnë nga imazhi që ajo ka.
“Nëse doni të jem e sinqertë nuk kam asnjë projekt televiziv, as dua të kem, as të rikthehem. Dua të bëj diçka që më jep kënaqësi, dua që të jem 100% vetvetja dhe mos frenoj gojën brenda kornizës që të tjerët duan t’më fusin. Deri sot dashje pa dashje kanë tentuar vetëm të shesin me imazhin tim dhe deri diku ka qenë e paevitueshme dhe aspak e lehtë të luftosh me stereotipet që krijojnë njerëzit në mendjet e tyre paragjykuese. Por unë e di kush jam dhe çfarë dua, unë jam më shumë se pjeshka mbi taka dhe ky është projekti im i radhës,”- shkruan ajo ndër të tjera në Instastory.
Së fundmi Einxhel Shkira, ka qenë e angazhuar në emisionin e sportit “Pressing” në AbcNews, dhe arsyet e shkëputjes nuk dihen.
Ndërkohë, përsa i përket jetës së saj personale, ajo tregon se nuk është tip që i pëlqen të japë shumë llogari dhe se për këtë arsye nuk del në takime. Një tjetër arsye që e pengon Einxhelin, janë njerëzit që flasin.
“Ku je, a erdhe, në çfarë ore, vendi, nuk është gjëja ime e preferuar. Nuk e mbaj mend as herën e fundit që kam dalë në një takim. Tirana është një vend i vogël dhe njerëzit flasin idiotësi për vajza, të cilat as nuk i kanë takuar ndonjëherë. Imagjinoni, nëse del me ta në takim. Kështu që nuk kam as shumë ish-të dashur, sepse jam edhe një person që mbaj lidhje të gjata, dhe pse ju mund të mendoni të kundërtën. Por nëse njihni ndonjë nga ish-at e mi, pyetini,”- shkruan Einxheli në një tjetër postim.