Prej më shumë se 40 vitesh Gazment Leka e përkthen botën e tij të brendshme në ngjyra, e mandej në piktura që shihen dhe admirohen nga artdashësit.
Në një intervistë për emisionin “Ka Motor” në Fax News, piktori tregon se sa e vështirë është për një njeri që të zgjedhë mes dhuntisë së brendshme për të ndjekur artin, familjes, dhe kohës që duhet të ndajë mes të dyjave.
Leka tregoi për gazetaren Katerina Kule, që rutina e ditës së tij është e lidhur ngushtësisht me studion, ku hyn zakonisht në orën 8 të mëngjesit, e del prej aty 10 apo 11 orë më pas.
“Faleminderit që keni ardhur, piktura është si frymëmarrja, ajo bëhet në mënyrë automatike, kur çohem në mëngjes mendimi i parë më shkon te studio, kam një ritëm që nuk e tradhtoj kurrë. Kam një orar shumë fiks, vij në orën 8 dhe dal në orën 6 e gjysëm 7. Kur isha çun i ri dilja dhe më vonë, por tani me moshën, jam edhe djalë i një nëne që kam në shtëpi, bashkëshort i një gruaje që kam në shtëpi, dhe baba i fëmijëve.
Pas një pikture fshihen orë të tëra pune, ti je njëlloj krimineli që ke braktisur familjen, unë nuk jam egoist i tmerrshëm, është një një lloj sakrifice. Kur folëm në telefon të pyeta se sa do të zgjaste intervista, dhe ju më thatë 40 minuta, mendova që çdo vit që kam pasur në karrierë , do ta përmbledh në 40 minuta”, u shpreh Leka, ndërsa tregoi edhe dallimin mes pikturës si profesion dhe si art.
“Piktura si çdo gjë në jetë, është edhe profesion edhe jo profesion. Ti i di të gjitha mënyrat si përdoren bojrat apo penelat, por ti nuk e shpjegon dot se si e ke krijuar artin. Se çfarë ka dashur të thojë piktori, ti nuk e kupton dot. Profesion është se ti e merr, ia ble pikturën, e shijon gjithë kohës, në kuptimin më të thellë ajo nuk është profesion.
Unë mendoj se çdo gjë ka të fshehtën e vetë. Çdo fushë e artit njësoj si piktura ka dhe tallavanë e vetë”, tha më tej Leka.