Dy personat e arrestuar në Lezhë, të cilët mashtronin duke përfituar para në emër të kryebashkiakut Pjerin Ndreu, u njohën me masën e sigurisë në gjykatë.
Organi i akuzës kërkoi që Shkelqim Domi 35-vjeç dhe Saimir Sallaku 37-vjeç të qëndrojnë në burg pa afat, por pasi dëgjoi palet gjyqtari Elvis Sulejmani caktoi masën e sigurisë arrest në burg vetëm për 35-vjeçarin Domi.
Arrestimi i 37-vjeçarit Saimir Sallaku u cilësua i paligjshëm dhe gjykata urdhëroi lirimin e menjehërshëm të tij me argumentin se nuk ka prova që e implikojnë në këtë veprimtari.
Dy personat u arrestuan më 23 Korrik nga policia, pasi mashtruan biznesmenin Ylli Ujkaj njëherazi edhe presidenti i ekipit të basketbollit ‘Besëlidhja’.
Ata kanë komunikuar me biznesmenin përmes aplikacionit ‘Signal’ dhe i janë prezantuar atij si Pjerin Ndreu dhe i kanë kërkuar 15 mijë euro.
Ai ka rënë pre e këtij mashtrimi dhe pa u menduar dy herë, më datë 14 korrik u ka dorëzuar atyre 15 mijë euro.
Po të njëjtin biznesmen, kanë tentuar ta mashtrojnë edhe me datë 17 korrik, por duket se në rastin e dytë biznesmeni e ka kuptuar që ishte një kurth dhe është drejtuar me një denoncim në polici.
Ndërkohë, Policia e Lezhës dhe e Tiranës po vijojnë hetimet për zbardhjen e një rasti të ndodhur në Tiranë, ku sërish këta dy shetas sëbashku dhe me një përson tjeter të shpallur ne kërkim kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një shtetas, me anë të kësaj skeme mashtrimi.