Faxweb.al ka siguruar axhendën që do të ketë mbledhja e nesërme e Partisë socialiste, ku në mesin e pikave që do të diskurohet është dhe ajo e analizës së rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit.
Asambleja e socialistëve është parashikuar të mbahet nesër (2 Qershor), gjatë orëve të pasdites (online), ku është kërkuar që të mblidhet dhe të paraqitet informacion në lidhje me strukturat e partisë socialiste, dhe punën që ato kanë bërë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Më herët ka pasur indicie se Rama mund të ndryshojë drejtuesit politikë në disa qarqe kryesore të vendit, pasi nuk ka qenë i kënaqur me rezultatin që ato kanë marrë në 25 Prill. Në mesin e qarqeve ku PS ka marrë një rezultat zhgënjyes në raport me katër vite më parë është Fieri, qark i cili drejtohet nga zëvendëskryeminsitri Erion Braçe.
Mbledhja e asamblesë së socialistëve i paraprin mbledhjes së Kongresit në 12 Qershor, ku pritet që të ketë dhe analizë më të thelluar të zhvillimeve brenda partisë.
Kongresi do të zhvillohet fizikisht me praninë e të gjithë anëtarëve pasditen e 12 qershorit, por në selinë rozë po mendohet që kongresi të zhvillohet edhe një pjesë ditën e diel, për të shmangur praninë e shumë personave në një sallë.
(E.K/Faxweb.al)