Edhe pse u pritën negociata të tjera, PD dhe PS nuk u ulën më në tryezën e diskutimit në lidhje me krizën politike që ka kapluar vendin tashmë prej më shumë se dy muajsh.
Data e sotme është dhe afati i fundit që kryeministri Rama i kishte lënë opozitës për të reflektuar në lidhje me ofertën e tij, po mesa duket qëndrimet e palëve vijojnë të jenë mjaft të ndara.
Po pse pikërisht 8 maji afati i fundit?
Kujtojmë se ditën e nesërme kompania që do të prodhojë fletët e votimit nis nga puna dhe në rast se PD-ja kthen mendje kostoja e shkuar dëm do të ishte mjaft e lartë. Edhe dje gjatë komunikimit të tij javor Rama u shpreh se mesa duket në 18 qershor vendi do të shkojë në zgjedhje pa opozitën.
Kujtojmë se më parë janë djegur të gjitha afatet ligjore për regjistrimin e partive që në fillim të prillit, apo të regjistrimit në koalicione. Nuk dihet sa Rama do të qëndrojë striktë tashmë edhe një afati që do të shoqërohet me një faturë të kripur financiare për vendin.
DETAJET NE LIDHJE ME FLETËN E VOTIMIT:
Shkurtimi i numrit të partive në zgjedhjet e 18 qershorit, nga 66 në 15, do të bëjë që fleta e votimit të jetë më e vogla në historinë shqiptare. Sa i përket gjatësisë së fletës së votimit, ajo do jetë me përmasa 220 milimetra.
Konkretisht gjatësia e fletës së votimit e miratuar me vendimin nr. 13, datë 12.01.2017 është 420 mm (A3) dhe mund të përfshihen në të deri në 66 subjekte. Pas miratimit të listave shumemërore rezulton se numri i subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin 2017, është 15 dhe për këtë fakt gjatësia e fletës së votimit është e panevojshme të jetë sa është parashikuar në vendimin nr. 13, datë 12.01.2017. Gjatësia e fletës së votimit me përmasa 220 mm, është e përshtatshme për pasqyrimin e 15 partive politike”, thuhet në projektvendim.
Prodhimi i fletëve të votimit do të nisë më 9 maj, datë që është caktuar si afati limit që dy partitë, PS dhe PD, të arrijnë negociatat për zgjidhjen e krizës politike. Burime për “Shqiptarja.com” bëjnë të ditur se fletët do të shtypen në Greqi, do të prodhohen nga kompania greke “Inform Lykos”. Kjo kompani prodhon kartmonedhën euro për Greqinë dhe karta bankare për shumë shtete të tjera.
Mësohet se fleta e votimit do të ketë pesë elementë sigurie. Sa i përket kostos së prodhimit për secilën fletë, ajo do të jetë 12.3 lekë pa TVSH, ndërsa për te verbërit që ka disa specifika shtesë, do të jetë 270 pa TVSH. Shpenzimi në total që duhet të paguajë komisioni qendror i zgjedhjeve për këto fletë votimi përllogaritet diku te 250 mijë euro.
Partitë që do marrin pjesë në zgjedhje:
Partia Komuniste e Shqipërisë
Sfida për Shqipërinë
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
Partia Lista e Barabartë
Aleanca Popullore për Drejtësi
Partia Demokracia Sociale
Partia Aleanca Demokratike
Partia Kristian Demokrate
Levizja Socialiste për Integrim
Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
Partia për Drejtesi Integrim Unitet
Partia Social Demokrate
Partia Socialiste
Fryma e re Demokratike
Partia Aleanca Demokristiane (E.K/SHUPLAKA)