I ftuar në lidhje Skype këtë pasdite në Fax News ishte ish-oficeri i policisë së Shtetit, Dritan Zagani. Me gazetaren Rovena Neziri, ish-oficeri komentoi aktualitetin e krimit në vend. Zagani foli mbi të arrestuarit e grupit të Laert Haxhisë dhe të penduarin Artan Tafani. Sipas Zaganit kjo është praktikë e njohur për drejtësinë dhe ndodhi në Shqipëri pasi “thesi ishte mbushur plot me zullume që plasën”.
Dritan Zagani: “Është mbushur thesi me zullum dhe dalëngadalë po plasin tani. Është praktikë e njohur kjo me të penduarit e drejtësisë. Mjafton të jetë vullneti nga organet ligjzbatuese dhe këto praktika funksionojnë. Shembuj kemi të ndryshëm, qoftë nga vendi ynë, qoftë nga bota. Vetëm në këtë mnëyrë mund të arrihen rezultate shumë të mira në drejtim të zbatueshmërisë së ligjit apo vënies së rendit mes bandave apo lidhjeve me shtetin. Jam pak skeptik se tek ne fryhen të vërtetat për propagandë. Deri në momentet që politika të jetë gjithmonë në mes, në krye të këtye gjërave të dirigjojë gjithçka për lidhjet e krimit të organizuar nuk do të kemi rezultat të plotë, do jenë gjithmonë seleksionuese deri ku lejojnë ata”, tha Zagani.
Për organet e reja të drejtësisë që po veprojnë Zagani tha se ka dyshime për funksionimin e tyre pavarësisht mbështetjes që kanë nga SHBA dhe BE. Kjo për shkak të interesave të politikës që komandojnë këto hetime.
Dritan Zagani: “SPAK dhe BKH mbështeten nga vendet aleate dhe kjo më jep shpresë, por kjo shpresë është pak e vakët pasi jep rezultate selektive. Pasi kapen vetëm ato që do piramida jo ata që duhen në të vërtetë. Shumë gjëra nuk shkojnë deri në fund. A për frikën, a për mosmbështetjen e shtetit apo për pamundësinë qoftë nga ana ligjore, qoftë nga ana profesionale… ose ose mbase përderisa funksionon mbi baza politke, edhe partnerët dhe kryesisht SHBA funksionojnë mbi interesat e tyre personale përderisa nuk zbatohet ligji mbi bazën e interesave tona dhe të kombit tonë. Përsëri e quaj jo të plotë, jo të kënaqshme dhe nuk besoj se do të kemi rezultate konkrete të shpejta. Por gjithsesi mos tja humbin pikët me hapat që kanë fituar”, u shpreh Zagani.
Zgjidhja sipas Zaganit është që të hiqet menjëherë koncepti i “Maliqit” nga kuadri ligjor. Shqipëria ka një kuadër ligjor të shkëlqyer që duhet të zbatohet.
Dritan Zagani: “Duhet të hiqet Maliqi një herë e përgjtihmonë nga koncepti ynë ligjor. Duhet të zbatohet vetëm ligji. Po t’i lexosh ligjet vetëm Amerika, Franca apo Zvicra i ka ligjet siç i kemi ne. As Italia nuk i ka ligjet që i kemi ne. Por ama ka mafie ka dhe shtet, kurse tek ne ka mafie dhe Maliq”, tha Dritan Zagani.