Amerikanët do të zgjedhin të martën Presidentin e ri. Trump synon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetësh, ndërsa Harris të bëhet e para Presidente grua. Sondazhet e ditëve të fundit tregojnë një rritje të shanseve të kandidatit Trump, por një pjesë e madhe e opinionit publik është e shqetësuar që premtimet e tij radikale dhe simpatia për praktikat autoritariste mund të përbëjnë rrezik për vlerat tradicionale të demokracisë amerikane.
Më datë 5 nëntor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë zgjedhjet e gjashtëdhjeta presidenciale. Amerikanët duhet të zgjedhin mes zëvendëspresidentes në detyrë, Kamala Harris, dhe ish-presidentit, Donald Trump. Harris u zgjodh në mënyrë të papritur kandidate e Partisë Demokratike, pas tërheqjes së Presidentit në detyrë, Joseph Biden. Nëse zgjidhet, Harris do të jetë Presidentja e parë grua në historinë e SHBA.