Deputeti Agron Shehaj dhe ish-kolegu i tij Mark Marku kanë bërë paqe pasi u përplasen ashpër mbrëmjen e djeshme gjatë një debati në Opinion.
Mark Marku e quajti Agron Shehajn matrapaz, etiketim ky që nuk u prit aspak mirë nga deputeti vlonjat, i cili iu kthye duke i thënë “a je mirë nga mendja”.
Deputeti Shehaj tha se ishte ndjerë keq kur Marku iu drejtua me fjalën “matrapaz”, ndaj i kërkoi falje për reagimin, pasi gjatë debatit iu drejtua duke i thënë “Je mirë nga mendja”.
Edhe Mark Marku nga ana e tij kërkoi falje, por sqaroi se fjala matrapaz në turqisht do të thotë “tregtar”.
Pjesë nga biseda:
Agron Shehaj: Pata një konflikt me Mark Markun edhe gjatë reklamave, e përjetova keq atë që më tha se jam matrapaz. I kërkoj ndjesë për reagimin. Është e drejtë e tij të mendojë që sipërmarrësit janë mashtrues. Unë kam respekt për profesorët. Pavarësisht se Marku thotë që unë jam matrapaz, është e drejtë e Markut. Unë mendoj se nuk është normale se një përfaqësues i një partie të djathtë si PD, të mbajë një qëndrim të tillë për sipërmarrësit kur në Shqipëri ka më qindra sipërmarrës që mbajnë familjet e tyre.
Mark Marku: Mos e kthe mirësjelljen në poshtërsi. Meqë e pate mirësjelljen që të më kërkojë ndjesë edhe unë po të kërkoj ndjesë. Unë nuk thashë që biznesmenët të marrin pjesë në jetën politike, por një kryetar partie dhe një kryeministër nuk duhet të jetë biznesmen. Kjo është bindje. Jemi në Shqipëri, ku askush nuk fyhet me fjalët turke dhe fjala matrapaz në turqisht do të thotë tregtar.
(E.H/Faxweb.al)