Narrativa turistike e Shqipërisë ka marrë një kthesë të re me një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, duke e pozicionuar vendin si një strehë pushimi e eksplorimi gjatë gjithë vitit për udhëtarët.
Dhe më kalimin e viteve, artikuj të ndryshëm në mediat më prestigjioze anembanë botës kanë shfaqur vendin tonë në lupën e eksplorimit, si një vend i pazbuluar dhe i lirë.
Duket se jehona ka mbërritur në Kinë, ku një nga mediat më të njohura me bazë Hong Kong, BNN Breaking, ka shkruar për Shqipërinë dhe bumin turistik të saj.
Kujtojmë se, Kina është bërë një nga forcat lëvizëse në industrinë globale të turizmit jashtë vendit. Sipas Statista, në vitin 2019, numri i turistëve dalës nga Kina arriti në afro 155 milionë, pothuajse trefishi i vitit 2010.
Megjithatë, numri i turistëve dalës nga Kina ra në rreth 20.3 milionë në vitin 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pati një rritje në vitin 2021. Pasi u anuluan të gjitha kufizimet kufitare në Kinë, më shumë se 40 milionë udhëtarë kinezë shkuan jashtë vendit në gjashtë muajt e parë të 2023.
“Eksploroni ndikimin e bumit turistik të Shqipërisë dhe tërheqjen e saj në rritje globale” bëjnë thirrje editorët e BNN Breaking, të cilët nënvizojnë se hyrjet turistikë në vendin e vogël ballkanik ka pasur një rritje prej 30% vitin që lamë pas.
“ Këtë vit, vendi i shqiponjave ka parë një fluks të paprecedentë vizitorësh, gati gjysmë milioni, duke shënuar një moment historik të rëndësishëm në narrativën turistike të vendit. Kjo rritje prej 30% nga një vit më parë nuk është thjesht një numër; është një dëshmi që Shqipëria bëhet një strehë në rritje për turistët që kërkojnë aventura përtej destinacioneve të zakonshme. Me shumicën që vjen nga Evropa, e ndjekur nga një numër i dukshëm nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, joshja e Shqipërisë si destinacion gjatë gjithë vitit është e pamohueshme.”– thuhet në artikull.
Më tej, në shkrim theksohet se, në kontekstin e një turizmi global, Evropa kryeson.
“Nga afro 475,000 vizitorët, pjesa e luanit e ka origjinën nga Evropa, duke pikturuar një pamje të Shqipërisë si një vend i preferuar, i zbuluar rishtazi në skenën e udhëtimeve të kontinentit. Rritja e turistëve nga Amerika me 20% dhe një rritje mbresëlënëse prej 40% nga Azia Lindore dhe Paqësori, nënvizon një magjepsje në rritje globale me historinë e pasur të Shqipërisë, peizazhet befasuese dhe mikpritjen e ngrohtë. Kjo rritje nuk ka të bëjë vetëm me pushimet, të cilat përbëjnë 94% të vizitave, por gjithashtu thekson një rritje të pasagjerëve transit dhe atyre që udhëtojnë për qëllime shëndetësore apo biznesi.”- thuhet më tej në artikull.
Në vijim të artikullit, Shqipëria paraqitet në lexuesit aziatikë si ‘Një destinacion gjatë gjithë vitit’.
“Historia e bumit të turizmit të Shqipërisë është e lidhur ngushtë me evoluimin e saj si një destinacion gjatë gjithë vitit. Kohët kur turistët dynden vetëm gjatë stinëve të festave të zakonshme kanë ikur. Sot, Shqipëria fton eksplorues gjatë gjithë vitit, duke ofruar një përzierje të plazheve të diellit, maleve të mbuluara me borë dhe përvojave të gjalla kulturore. Ky transformim përforcohet më tej nga investime të rëndësishme në infrastrukturë, duke përfshirë zgjerimin ambicioz të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duke synuar të akomodojë numrin në rritje të vizitorëve.”- shkruhet më tej.
Në fund, media kineze shkruan se, një botë të etur për të zbuluar territore të paeksploruara dhe përvoja autentike, Shqipëria shquhet si një fener për udhëtarët.
‘Me dyert e hapura gjatë gjithë vitit, ajo ofron një përzierje unike të bukurisë natyrore, historisë dhe mikpritjes, duke ftuar botën të eksplorojë xhevahiret e saj të fshehura. Duke qenë se Shqipëria kërkon vendin e saj në peizazhin global të turizmit, ajo nuk mirëpret vetëm vizitorët; ai mirëpret miqtë, të gatshëm për të qenë bashkëshoqërues në udhëtimin e rritjes së turizmit të këtij vendi.’-përfundon artikulli./ Revista “Monitor”