Mungesa e tregut dhe e mbështetjes së qeverisë kanë bërë që shumë fermerë në të gjithë vendin të detyrohen të lënë pa mbledhur prodhimet e tyre, për shkak se nuk iu del kostoja e prodhimit.
Një prej fermerëve, që këtë vit i është dëmtuar prodhimi si pasojë e farës së keqe të qepës, ka pasur një komunikim me gazetaren e Fax News Ledjona Xheladinaj, ku ka denoncuar dhe braktisjen nga qeveria.
Fermeri i Ormanit në Korçë tregon se agranomët në vend që të shohin në terren llojin e farës që mbillet apo zonat ku një kulturë mund të ketë prodhim maksimal, presin dru dhe ngrohen duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.
“Ça të them unë, agranomët marrin rrogën dhe rrinë kot në komunë, njëri çan drutë tjetri ndez zjarrin, mua më humbasin milionat aty, se nuk bëjnë një verifikim të farave që shiten. Duhet të vendosen njerëz për të qenë, njerëz jemi dhe ne, qytetarë, sdo mbetemi fshatar gjithë jetën. Do I bëj thirrje kot se e di që nuk më dëgjojnë, unë do bëj timen, mua nuk më bëjnë krahët, punojmë me krahët e këputur.
Djali më iku në Greqi, babi pse të rri këtu më thoshte, nuk blejmë dot një palë pantallona, jemi kthyer në kohën e gjilpërës, më vjen të thyej televizorin kur thonë që kemi subvencionuar fermerin, ku kanë shkuar lekët? Ku të shkoj unë, nëse mbjell hashash më kapin, pot ë merresha me kokainë, po nuk më kapte njeri”, shprehet i revoltuar fermeri.
(E.K/Faxweb.al)