Ish deputeti Aldo Bumçi foli sot përmes një lidhjeje Skype për “Fax News” për zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike.
Bumçi tha se opozita sot i ngjan shumë asaj të vitit 1991 dhe se qytetarët kanë nevojë “ulëritëse” për ndryshim, me këtë krizë të rëndë që ka kapluar vendin. Për dorëzimin e mandatit nga dy deputetët Rushaj dhe Duma, ai u shpreh se është një vendim që nuk ndikon te beteja opozitare.
Bumçi: Të dy ish-deputetët tashmë kanë dhënë shpjegimet e tyre publike, Duma doli dhe foli publikisht, patjetër s’është mirë kur largohen por është e drejta e tyre, e megjithatë kjo nuk prek betejën opozitare.
Opozita ka vetëm shoqërinë që e mbështet, aq më tepër sot jemi si një opozitë në vitin ’91. Nevoja ulëritëse për ndryshim, kriza e rëndë ku Rama e futur Shqipërinë, largimi i 740 mijë shqiptarëve jashtë vendit, vetëm te ky fakt të ndalemi. Me një komb të vogël prej më pak se 2.8 milionë banorë, ky largim masiv s’është normal. 13 herë më shumë se në vendet e rajonit, dhe jemi në të njëjtën kategori me Sirinë, Irak e Afganistan.
Në ato shoqëri ne e dimë se çfarë ndodh, tek ne ka qeverisur zoti Rama. Ky është rreziku i madh dhe shoqëria është e vetdijshme, i ka krijuar antitrupat demokratikë, me 7 korrik ne pamë një shoqëri që u përgjigj. Ne nuk kemi asnjë pushtet, dhe ky reagim është shpresëdhënës. Unë respektoj vendimet e kolegëve, patjetër kanë dhënë një kontribut të çmuar në PD.