Jemin Gjana është pozicionuar qartazi në mbështetje të Bashës në debatin e tij me kritikët në këto ditë. Madje ai vijon më tek duke thënë se tashmë ish-kryeministri Berisha duhet të hyjë në lojë dhe t’iu thojë të gjithëve që duhet ta ndalojnë lojën e sulmeve.
Sipas tij Topalli dhe Patozi që janë pozicionuar në kampin kundër Bashës deri pak kohë më parë s;’e duronin dot njëri tjetrin.
Madje duket si në formë kërcënimi Gjana i thotë Topallit se ka ardhur momenti që të heshtë.
INTERVISTA DHËNË PËR “GAZETËN SHQIPTARE”:
Z.Gjana, çfarë roli duhet të marrë ish-kreu i PD-së Sali Berisha me qëllim zgjidhjen e krizës brenda PD-së?
Z.Berisha ka bërë një zgjedhje të vetën duke mbajtur një qëndrim neutral. Gjysmë deklarimet e tij janë bërë publike dhe nuk jam në brendësi të atyre që nuk janë publike. Por mendoj që ca gjëra mund t’u thotë disa prej kolegëve. Në mos në mënyrë publike, le t’i thërrasë secilin në mënyrë më të ngushtë dhe t’u thotë: mjaft, deri këtu sepse dimë disa gjëra për njëri-tjetrin.
Përse nuk e bën një gjë të tillë?
Këtë nuk e di, por njerëzit i japin të drejta vetes më shumë se ç’kanë. Unë kam vlerësime shumë pozitive për Jozefina Topallin, sepse vjen nga një familje që në Shkodër gëzon respekt maksimal, që im atë dhe njerëz të tjerë që unë kam pasur në burgje më kanë folur për njerëzit e saj që në burgje kanë mbajtur qëndrim të jashtëzakonshëm. E vlerësoj, sepse ajo është shkodrane, vjen nga një komunitet anti-komunist, ka një performancë shumë të gjatë në PD, por sjelljet e saj lënë për të dëshiruar. Unë kam qenë në zyrë kur e kam parë të “kacafytur” me Berishën duke i thënë që ti ke marrë Arben Imamin shef kabineti dhe këshilltarin e ke komunist. Kurse tani e shohim në krah të Imamit. Ajo e di shumë mirë që unë e kam drejtuar tri herë shtabin elektoral të Bashkisë së Shkodrës dhe e di shumë mirë arsyen. Bëhet fjalë për vitin 2000, 2003 dhe 2007. A mund të më thotë ajo përse? Pse jo ajo, por unë? Mos të flasë edhe për gjëra të tjera. Njerëzit bëjnë mirë të përmbahen dhe mos të na detyrojnë që ne të flasim.
Ju përmendet debatin e Topallit me Berishën, por sot atë e shohim bashkë me Imamin…
Janë bërë bashkë për inat të Lulzim Bashës. Por këtu gabojnë sepse dimë shumë gjëra për ta. Ndaj duhet të vetëpërmbahen.
Po për Astrit Patozin çfarë dini?
Po ju them një gjë, Patozi e Topalli për 8 vjet rresht nuk kanë dashur t’ia shohin fytyrën njëri-tjetrit. Këta njerëz si mund të dalin dhe të më bëjnë mua moral. Unë ndjehem keq dhe i fyer kur ata sillen në këtë mënyrë, sepse e di se çfarë vlerësimi kanë për njëri-tjetrin.
Po për Ridvan Boden dhe Arben Imamin?
Për z. Bode më vjen shumë keq, sepse ka qenë një drejtues i mirë politik në PD në funksion të sekretarit të përgjithshëm, por heshtja, qëndrimet e tij të stokuara lënë shumë për të dëshiruar. Ai duhej të shkonte në Korçë, në Pogradec, në Devoll dhe të bënte fushatë, sepse ai ka ndihmuar shumë këto zona, madje më shumë se kushdo tjetër. Imami deklaroi se nuk ka pasur ftesë për të shkuar dhe për të bërë fushatë.
Atëherë si mund të bëhet bashkimi i demokratëve?
Duhet lënë mënjanë mëritë. Të gjithë bashkë, jo për hir të njëri-tjetrit, jo për hir të karrigeve të pushtetit, por për hir të mijëra demokratëve që na kanë mbështetur edhe në kohë krizash të vështira. Ky bashkim duhet të bëhet edhe për hir të gjithë Shqipërisë. E vërteta është që këta njerëz, jetëgjatë në PD dhe këta të rinj, që janë aktualisht në strukturat e partisë, janë pjesë e një force politike që më shumë i ka bërë të mira Shqipërisë sesa i ka bërë dëm vendit. PD-ja nëse s’të ka ndihmuar dot, nuk të ka penguar. PD është parti e lirive, liria është më kryesorja. PD anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe mundësoi lëvizjen e lirë. PD-ja përmirësoi jetesën e shqiptarëve, u dha atyre dimension ndaj duhet bërë kujdes kur flitet për PD-në dhe mos të detyrohemi të flasim kundër njëri-tjetrit. Ne na quajnë si një vend që na ka dominuar kanuni, i cili ka qenë një ligj i atyre periudhave brilante. Njerëzit janë vrarë me njëri-tjetrin. Kanë shuar familje të tëra, por janë ulur dhe kanë gjetur gjuhën e pajtimit. Përse mbahet mend Anton Çeta? Kosova ndërmori një proces pajtimi gjaqesh jo debatesh për para dhe karrige. Bëhet fjalë për pajtim gjaqesh me qëllim që Kosova të shkonte drejt bashkimit e vëllazërisë.
E ka këtë mundësi PD-ja, pra pajtim debatesh jo gjaqesh?
Absolutisht po. Nëse qetësohemi, shohim vetveten. Duhet t’ia bëjmë një analizë vetvetes, edhe tjetrit, të jemi të çlirët me njëri-tjetrin. Por nëse vazhdojmë të rrimë peng i të shkuarës sonë të hershme, të shkuarës sonë të djeshme që ka të bëjë me pushtetin do të jetë më keq. Unë nuk kam heshtur dhe nuk do të hesht kurrë, sepse nuk pajtohem dot me të keqen. S’kam mëri për askënd, kam vlerësime për ata që kanë punuar mirë.
Si e shikoni kandidaturën e Eduart Selamit?
Ajo që mund të them për z.Selami është se e njeh partinë dhe i ka të gjitha mundësitë që edhe ai të jetë një kandidaturë potenciale. Por ka një performancë të dobët.
A duhet të rikonfirmohet z.Basha në krye të PD-së?
Do të votohet dhe të shohim. Ajo që mund të them është se ai duhej të votëbesohej në parti. Votëbesohet edhe kryeministri, edhe qeveria votëbesohet edhe kryetari i partisë. Gjithsesi, ai ka hapur garën dhe nuk ka shkelur statutin e partisë siç pretendohet në rastin e delegimit të kompetencave te dy nënkryetarët e PD-së.
A rrezikon PD-ja që të ndahet dhe a rrezikon Shqipëria të mbetet pa opozitë?
Nuk rrezikon veçse krijohen këto turbulencë, të cilat japin sinjale jo të mira. Këto turbulence i kemi kaluar njëherë në vitin 1997, “kutia e zezë” e së cilës, siç ka thënë i ndjeri Safet Zhulali, nuk dihet se kur do të hapet.
Edhe 2017-a ka “Kuti të zezë” që duhet hapur?
Ndoshta edhe ajo.
Dhe çfarë përmban kjo “kuti e zezë”?
Nuk e di. Ndoshta duhet pyetur zëvendës/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit.
Për çfarë bëhet fjalë?
Nëse nuk është “kuti e zezë” Lulzim Basha bën gabim, nëse nuk bën transparencën maksimale të saj. Është një ndëshkim ajo që ka ndodhur. Njerëzit jetuan në perceptimin se e mbolli kryesisht Edi Rama, se ne kemi bërë një marrëveshje të fshehtë, se ne do të kemi pozicionet tona etj. dhe njerëzit patën njëfarë demoralizimi. Por kjo është një çështje që hap diskutim dhe nuk mund ta them unë se çfarë është bërë me atë marrëveshje.
Bëhet fjalë për të shkuarën e disa prej politikanëve të PD?
Çështja e të shkuarës është një problem i madh, sepse ka shumë njerëz që kanë problem me të shkuarën e tyre.
Janë ish drejtues të lartë të PD-së?
Po, sigurisht. Ka të bëjë me të shkuarën e hershme të tyre, por edhe me të shkuarën afatmesme të tyre. Jeta e tyre luksoze, vilat nëpër qendrat rezidenciale që u shndërruan nga fshatra turistike në qendra rezidenciale të njerëzve të politikës, të njerëzve të medias dhe të biznesit. Këto tre kategori janë ata që fshatrat turistike i kthyen në vila dhe i blenë për vete. Janë me vila në periferi të Tiranës, me fëmijë që shkollohen shumë shtrenjtë jashtë shtetit, mënyrën se si performojnë, se si i bëjnë pushimet, si vishen, si sillen.
Nga se vjen luksi i tyre?
Sigurisht nga abuzimi me pushtetin
Janë ish-ministra të PD-së?
Sigurisht. Janë ish-ministra të PD-së dhe jo ish-ministra, por edhe ish-drejtorë të rëndësishëm, ndërmjetës, sekserë të kësaj natyre. Një deputet ka një rrogë dhe nuk ka asnjë vendimmarrje. Një deputet, nëse nuk shndërrohet në ndërmjetës dhe sekser, kurrë nuk mund të bëjë para, sepse ka një rrogë. Me këtë rrogë ai mund të mbajë familjen në kushte mesatare. Unë di veten dhe shumë kolegë të tjerë të mitë që kemi jetuar me rrogën e deputetit. Unë edhe sot vazhdoj të jetoj në dy dhoma e kuzhinë në një pallat të Entit të Banesave. Kam tjetër këndvështrim për shumë kolegë. Por të dojë ndokush të vijë dhe t’i shtrojmë letrat.
Cili konkretisht?
Kush të dojë. Me secilin nga ata që sot bërtasin. Kam ditur dhe unë të bërtas kur jam larguar nga politika në 2013. Jo me dëshirën time, por pa asnjë keqardhje, sepse kjo sofra e madhe nuk është vetëm për disa. Është për shumë të tjerë, sepse kur e nisëm në fillim, e nisëm me shumë të tjerë, kur e vazhduam kishim shumë të tjerë për rreth, por me vjen keq që i japin vlera vetes që, në fakt, nuk i kanë. Kërkojnë disa të drejta përtej asaj që nuk i meritojnë.
Atëherë, si mund të tejkalohet kjo situatë?
Ne e kemi kaluar edhe krizën e vështirë të 97-ës. Kemi kaluar edhe krizën e 2013 që pësuam një humbje të thellë. A mbajnë ndonjë përgjegjësi këta që kryesuan listat dhe e çuan PD-në në një humbje të thellë në 2013? U thellua edhe më shumë në 2015 pikërisht për faktorët që përmenda më lart. Kështu që janë kriza që do të kalohen. PD-ja nuk do të copëzohet. Nuk do të ndahet. Do të ketë disa gërmërre, të cilat do të vazhdojnë për një kohë të gjatë, por PD-ja nuk është disa, apo maksimumi 100 individë që shëtisin klubeve, kafeneve apo televizioneve, e portaleve të Tiranës. PD-ja është frymë. PD-ja është qindra e mijëra njerëz. Po të ishin siç isha unë në fushatë do t’i shihnin se ata janë të shumtë. Kur ne ulemi me bazën, e kuptojmë se kush është PD-ja e vërtetë. Janë njerëz që i qëndrojnë pranë PD-së prej vitesh edhe pse prej saj mund të mos kenë marrë asgjë. PD-ja është një strukturë e gjerë, një potencial i madh njerëzor. Ata nuk pranojnë që të bëjnë lojëra, sepse pjesa më e madhe e tyre kanë vuajtur diktaturën dhe sakrifikojnë edhe sot. PD-ja ka përgjegjësi e detyrime ndaj ish-të përndjekurve, ish-pronarëve, ndaj kontribuuesve ndër dekada. Çfarë bënë për ta kur ishin në pushtet? Sot bërtasin që u ikën karriget. Kjo është faqja e zezë.
Ju do të vazhdoni të jeni sërish aktiv në PD?
Nuk kam asnjë lloj dëshire, si të thuash, që të kem ndonjë post në Partinë Demokratike. Jam ofruar në zgjedhjet e 2013. Kam qenë pjesë e fushatës. Kam zhvilluar fushatë për organizmin e partisë kur më është kërkuar në Paskuqan e më pas në gjithë qarkun e Lezhës, jam përballur atje me njerëz, të cilët e kanë dashur dhe e duan partinë pa asnjë interes. Jam përfshirë në fushatën e 2015-ës, kam drejtuar shtabin elektoral të Bashkisë së Kavajës. Kam qenë intensiv në Bashkinë e Kamzës, sepse atje më çoi PD-ja. Sa të kem frymë dhe mundësi do të bëj atë që unë mundem për demokratët, sepse e ndjej veten borxhli ndaj tyre. Kushdo mund të hyjë në pasuritë e mia të së shkuarës dhe aktualet dhe t’i shikojë. Unë nuk i njoh vetes asnjë pikëpyetje, për asnjë që dikush mund të më mbajë peng, që të më tërheqë për kapistër. Unë skam bërë pasuri, por kam bërë emër. Kudo që lëviz nëpër Shqipëri njerëzit më takojnë dhe më japin dorën dhe kjo është një kënaqësi e madhe. Mund të më njihnin në katundin tim, por këtë emër nuk ma jepnin dot. Këtë emër ma dha PD-ja për të cilën punova pa pushim. Si unë janë qindra e qindra të tjerë që PD-ja u ka dhënë emër.