Krye i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Vlorë, Ilir Troci, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Bëhet e ditur se kërkesën për dorëheqje, ai e ka paraqitur dy ditë më parë dhe së fundmi i është pranuar.
Pas largimit të Trocit, në krye të INUV është emëruar Kledian Ramaj.
Ende nuk dihen arsyet që e shtynë Ilir Trocin të largohej nga kjo detyrë, ndërkohë që flitet se shkak janë bërë debatet mbi disa ndërtime në qytetin e Vlorës.
Ilir Troc, i cili ka mbajtur më parë detyrën e Këshilltarit Bashkiak, u emërua kreu i INUV rreth një vit më parë, pas arrestimit të ish-kreut David Tushe, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Emri i tij është i lidhur edhe me rastin e Shpëtim Gjikës në 2014-ën, kohë kur Gjika ka qenë i pandehur dhe Troci është thirrur në gjyq në cilësinë e dëshmitarit.