Silvana Daja, bashkëshortja e Gentian Dajës, ish-kreu i PS-së për Kavajën, ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi për Bashkinë e Kavajës. Kandidatja e Partisë Socialiste për këtë bashki ka folur për arsyet e vendimit të saj.
Ajo ka shkruar për tymnajën e madhe që u krijua pasi Partia Socialiste e zgjodhi si kandidaturë të sajën për Kavajën. Mes të tjerash, ajo shkruan se zhurma e ngritur kaloi kufijtë e imagjinatës duke cënuar bashkëshortin e saj, që për të vlen më shumë se një karrige.
Silvana Daja shkruan se pavarësisht se nuk i ka bërë keq as edhe një mize, vendos të shprehë tolerancën e saj që e ka karakterizuar gjithë jetën me qëllim që të mos jetë bllokuese e fateve të dikujt.
Shkrimi i dorëheqjes së Silvana Dajës:
Miq, gjatë ditëve të fundit kam parë tymnajën e madhe të krijuar mbi kandidimin tim në pozicionin e Kryetares se Bashkisë së Kavajës, qyteti ku kam lindur, ku kam ndërtuar familjen dhe ku do kaloj jetën.
Pavarësisht se në jetën time nuk i kam bërë keq asnjë mize dhe do doja të jepja më të mirën nga vetja në këtë proces, zhurma e ngritur kaloi çdo imagjinatë dhe parashikim duke sulmuar bashkëshortin tim i cili për mua vlen më shumë se një karrige.
Ndaj, nisur nga molla e sherrit, që Kavaja e vogël por e bukur ka shkaktuar në politikën e madhe, me keqardhje dua të heq dorë nga ky kandidim dhe të tregoj tolerancën që më karakterizuar gjithë jetën me qëllim që asnjëherë mos jem bllokuese e fateve të askujt.
Një falenderim për gjithë qytetarët të cilët pavarësisht kohës së shkurtër, më kanë mbështetur dhe kanë qënë të gatshëm të bëjnë këtë udhëtim me mua. Gjithashtu falenderoj çdo socialist dhe socialiste që ka qënë përkrahës i emrit tim.
Zotohem se si qytetare do kontribuoj për kryetarin e rradhës sepse dua me shpirt që Kavajën ta shoh vetëm në ditë të mira.
Me respekt SILVA DAJA
(XH.A/SHUPLAKA)