Një histori e trishtë. 22 vitet e fundit të jetës së tij i ka kaluar mes sëmundjes dhe paragjykimeve. Fjalën e kemi 62-vjeçarin , nga Peja i cili në vitin 1995 kuptoi se ishte i prekur nga SIDA. Atë kohë, ai e kujton kur i ishin paraqitur telashet me shëndetin dhe rënien e imunitetit.
“Jam operuar në një spital në Spanjë, ku edhe kam qëndruar për tre muaj. Dyshohet se aty edhe e kam marrë këtë virus pasi që në vitin 1995 nuk e kanë testuar gjakun, të cilin unë e kam marrë të infektuar. Unë kam dy fëmijë dhe asnjëri nuk janë të infektuar, pasi që para se të infektohem i kam pasur fëmijët”, tregon Mentori për “Radio Europa e Lirë”.
Ai tregon më tej se jeta për të ka qenë shumë e vështirë. Aq më vështirë, thotë ai, është të jetosh me HIV/AIDS në Kosovë, ku njerëzit e kësaj kategorie ndihen të stigmatizuar.
“Të jetosh me HIV në Kosovë, është shumë e vështirë. Këtu HIV- in e konsiderojnë sikurse ebolën, apo hepatitin C e që këto të dyja të sjellin vdekjen menjëherë. HIV/AIDS-i nuk është ashtu. Kohëve të fundit kanë nisur pak të vetëdijesohen. Unë jetoj normalisht. Shumica e njerëzve nuk e dinë që jam i infektuar. Unë bëj shumë sport, pasi ky virus kërkon shumë sport për shkak se terapia është shumë e rëndë. Por, me ushtrime fizike i mbron veshkat dhe mëlçinë. Unë merrem me alpinizëm më së shumti. Deri 20 km në ditë eci”, thotë Mentori.
Ndryshe, në Kosovë që nga viti 1986, kur ishte identifikuar rasti i parë, sipas shënimeve të Klinikës infektive, me virusin HIV/AIDS, janë prekur rreth 160 persona.
“Në Klinikën infektive nuk jam shumë i kënaqur, pasi analizat na i bëjnë një herë në vit, derisa ato duhet bëhen çdo 3 muaj. Pastaj, terapia nuk duhet gjithmonë të jetë e njëjtë pasi imunizohesh, e këtu gjithmonë të njëjtën. Unë kam jetuar edhe në Spanjë dhe atje është krejt tjetër mënyrë e trajtimit.
Por, gjendja është shqetësuese, sepse ka shumë të prekur me HIV, që nuk shkojnë të marrin terapi, e pa terapi jeton shumë shkurt’’.
Mirëpo, në Klinikën infektive në QKUK, Sali Ahmeti, infektolog, thotë se përdorin terapi protokollare, ashtu si edhe në të gjitha vendet tjera të rajonit e Evropës, për trajtimin e të prekurve me virusin HIV/AIDS.
“Sa i përket terapisë për të sëmurët me HIV/AIDS, kemi terapi dhe pacientët e marrin në mënyrë sistematike. Në trajtim i kemi rreth 30 raste, derisa numri total është rreth 160”.
“Aplikohen protokollet standarde si në vendet e regjionit dhe ato evropiane. Realisht për të sëmurët me HIV/AIDS ekzistojnë stigmatizime të ndryshme edhe në vendet e tjera, por edhe në Kosovë, dhe për këtë arsye kemi raste që pacientët orientohen në qendra jashtë Kosovës pikërisht për shkak të paragjykimeve që kanë”, thotë Ahmeti.
(J.V/Faxweb)