“Feeding Albania” është lëvizja më e fundit që synon të rikthejë vëmendjen e konsumatorit shqiptar për ushqime të sigurta dhe të shëndetshme duke respektuar në të njëjtën kohë edhe mjedisin.
Gjatë një njoftimi për mediat në “Dita Ndërkombëtare kundër Humbjeve e Mbetjeve Ushqimore”, kjo lëvizje ftohen konsumatorët që të ndërgjegjësohen për të konsumuar sa më shumë fruta dhe perime të cilat sjellin një jetë më të shëndetshme duke ulur në këtë mënyrë mbetjet ushqimore në organizëm.
Lëvizja “Feeding Albania”, do të ngrejë zërin për të krijuar sisteme cilësore e profesionale për një ushqim sa më të shëndetshëm për respektimin e dinjitetit të njerëzve tanë të dashur. Kjo do të përkthehet si një çelës në luftën kundër shumë sëmundjeve të popullsisë.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Feeding Albaniaështë një lëvizje e cila synon vëmendjen ndaj sistemeve të qëndrueshme ushqimore në vend për të siguruar ushqim të shëndetshëm e duke respektuar në të njëjtën kohë mjedisin. Ne besojmë se është, jo vetëm e nevojshme, por, plotësisht e mundur të sigurohet ushqim i mjaftueshëm për të gjithë në Shqipëri. Kjo, në një kohë kur statistikat e varfërisë e urisë fshihen gjerësisht e kur me to luhet në bazë të interesit institucional; në një kohë kur studimet nxjerrin pamjaftueshmërinë e vëmendjes ndaj çështjeve të urisë në vend, e cilësuar si vrasësja e heshtur, e lidhur drejtpërdrejtë me shëndetin e jetëgjatësinë.
Data 29 Shtator është caktuar nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare kundër Humbjeve e Mbetjeve Ushqimore. Me anë të kësaj komunikate, ftojmë këdo për të reflektuar mbi ushqimin që konsumojmë si dhe për të mos e çuar dëm atë. Viti 2021 është caktuar si Viti Ndërkombëtar i FRUTAVE dhe i PERIMEVE e ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi vlerat dhe përfitimet nga konsumi i frutave e perimeve, i cili sjell jo vetëm uljen e humbjeve e mbetjeve ushqimore por edhe shëndet më të mirë në tërësi.
A e dinit se:
Mbi 30% e ushqimit të prodhuar për konsum njerëzor humbet dhe nuk konsumohet. Ai hidhet në landfille duke marrë hapësirë, dëmtuar ekosistemet e duke lëshuar gazet e dëmshme metan e CO2 në atmosferë.
7-8% e gazeve serë në atmosferë vijnë si pasojë e humbjeve dhe e mbetjeve ushqimore.
Çdo vit, pothuajse 30% e sipërfaqes së tokës së përdorur për bujqësi, prodhon produkt i cili nuk do të konsumohet kurrë dhe do të hidhet.
2 miliardë njerëz nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë, ndërkohë 2 miliardë të tjerë janë mbipeshë ose obezë.
Uria nuk pret! Duke u përqëndruar tek Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ne besojmë që, së bashku, mund të bëjmë jo vetëm diçka, por gjithçka që është e nevojshme për të siguruar ushqim të mjaftueshëm, cilësor e në të njëjtën kohë të respektojmë mjedisin e klimën në tërësi. Krijimi i sistemeve të duhura të ushqimit si dhe eleminimi e rekuperimi i mbetjeve ushqimore janë strategjitë kryesore për arritjen e objektivave. Respektimi dhe njohja e ushqimit si një e drejtë njerëzore e cila duhet të ketë prioritet, mbetet një sfidë për qeverinë shqiptare dhe të gjithë shqiptarët. Ne ende nuk e kuptojmë plotësisht rëndësinë e këtyre sistemeve dhe nën dritën e ndryshimeve klimaterike, bëjmë me dije se nevoja bëhet edhe më urgjente.
Ne besojmë që, kur shqiptari i zakonshëm helmohet me ushqime të mbushura me pesticide e pisllëqe nga produktet e blera, aq më pak, shtresat në nevojë e vuajnë urinë dhe kequshqyerjen në nivele të patreguara. Varfëria nuk ka zë të fortë e nuk dëgjohet nëpër sheshe. Për këtë arsye, ne, me anë të lëvizjes Feeding Albania, së bashku me të gjithë ata që do të na mbështesin, do të ngrejmë zërin për të krijuar sisteme cilësore e profesionale për respektimin e dinjitetit të njerëzve tanë të dashur. Në të njëjtën kohë, ne kemi zgjidhjet e duhura për të propozuar e për të implementuar në vend, ndaj institucioneve përkatëse e organizmave vendas e të huaj, inisiativa të provuara në vende të tjera e gjithashtu inisiativa inovatore tonat shqiptare me qëllim për të bekuar vendin tonë, tokën tonë e njerëzit tanë. Së fundmi, ne besojmë që dietat e duhura të ushqimit, mund të jenë çelës në luftën kundër sëmundjeve të shumta aktuale të popullatës sonë. Me anë të ushqyerjes e dietave personale, ne besojmë se kushdo mund të jetë më i shëndetshëm, më i fortë e më i pavarur për një jetë më të mirë.