Kjo është shtëpia e familjes Majmari në njësinë administrative Xhafzotaj, pjesë e bashkisë Durrës. 6 anëtarë, me në krye një kryefamiljar të sëmurë, jetojnë në këtë shtëpi, që pas goditjes që mori nga tërmeti i 26 nëntorit, u bë e pabanueshme.
Kryefamiljarja Gëzime Majmari foli për gazetaren e “Fax News”, Kloida Gjuzi. Ajo thote se me 2 fëmijë të vegjël, një 9 muajsh dhe një 1 vjeç dhe me një shtëpi me tavan të çarë, edhe më e vështirë bëhet jetesa gjatë dimrit.
Puna për 3 ditë nuk mund të mbulojë 30 ditë të muajit, ndaj zonja Majmari thotë se thuajse s’kanë të ardhura fare.
Gjendur në këto kushte, Gëzime Majmari ka një apel, drejtuar pushtetit vendor, njerëzve me ndikim në shoqëri, qytetarit të thjeshtë dhe çdokujt që ka mundësinë ta ndihmojë.
“Jemi aktualisht 6 persona. Jemi në mes të rrugës. Dëmin më të madh e ka marrë me 26 nëntor. Kanë ardhur dhe e kanë klasifikuar të pabanueshme. Marrim bonus qeraje, por jemi pa punë. Se dimë kë të bëjmë përpara, të paguajmë dritat. Ishte koha e pandemisë pa punë. Se dimë ç’të bëjmë më para. Ushqimi ja do hash, por puna është te ndërtesa. Jam me azëm, nuk rri dot në ambiente të mbyllura. Dhe kryefamiljari me siklet, ku të dali.
Thirrja ime është shumë e qartë, vetëm një çati mbi kokë. Nuk mundesh me jetu këtu. Ça bie jashtë bie brenda në dimër kur ka shi. Është e pamundur po nuk pate kontakt me shtëpinë. Ka qenë periudhë shumë e sikletshme këto dy vite. Çuni duhet përgatitet për shkollë, të lahet, të ndërrohet. Unë dua zgjidhje, thjesht një çati mbi kokë, asgjë më tepër. Shteti, shqiptarët kudo që ndodhen nëse munden. Janë shumë, nuk është vetëm kjo familje. Nëse mundet dikush me vënë dorën në zemër”, tha kryefamiljarja.
Procesi i rimëkëmbjes pas tërmetit të 26 nëntorit, ndonëse një proces i trumpetuar shumë nga qeveria e Rilindjes dhe një flamur që kryeministri Rama e valviti gjatë fushatës së tij elektorale, ende edhe sot, vijon të jetë problem jetik për shumë familje të bashkisë Durrës.
(E.H/Faxweb.al)