Një protestë me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve është zhvilluar përpara Presidencës në Kryeqytet. Kjo protestë kishte një kërkesë drejtuar Presidentit në lidhje me një pikë të ligjit të Procedurës Penale.
Neni 449 sipas aktivistëve amniston të gjithë zyrtarët nga detyrimet ligjore që ata kanë mbi disa vepra të ndryshme penale. Ky ligj u votua në seancën plenare të Kuvendit javën që shkoi.
LETRA QË ATA I KANË DËRGUAR PRESIDENTIT:
Presidentit të Republikës
Zotit Bujar Nishani
Bazuar në kapacitetet tuaja si President, kapacitetit të mos dekretimit të një ligji nëse ai shkon ndesh me interesat e publikut, ju bëjmë thirrje të mos e dekretoni Nenin 449 të Kodit të procedures Penale i cili ndryshoi më 30 Mars për arsyet e mëposhtme:
Neni 449 i Kodit të Procedurës Penale deri në 30 Mars 2017 përcaktonte se : Vendimet që mund të rishikohen
1. Në rastet e caktuara me ligj lejohet në cdo kohë rishikimi I vendimeve që kanë marrë formën e prerë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose është shuar.
2. Vendimet e pafajsisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit por me kusht që most ë kenë kaluar 5 vjrt nga dhënia e vendimit. Të enjten në 30 Mars 2017 klasa politike shqiptare si ajo brënda në sallë dhe ajo brënda në çadër në fshehtësi të plotë me veprime direkte ose indirekte, me heshtje ose me zë, pa e shoqëruar me ASNJË arsyetim ose relacion ligjor aprovuan këtë ndryshim të këtij Neni të rëndësishëm.
Neni 449 ndryshoi si më poshtë:
Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.”
Një analizë e thjeshtë e kontekstit na tregon fare qartë se nëse Shqipëria do të ishte realisht një vend me nje sistem juridiko–gjyqësor të nivelit të lartë moral, etik dhe profesional, të aftë të vetë‐menaxhohej me integritet dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët “e drejtë”, ky nen i shumëpërfolur nuk do të kishte asgjë për t’u kundërshtuar.
Por, duke mos iu larguar asnjë çast situatës aktuale, ku në Shqipëri gjendet në reformim i gjithë i sistemi i drejtësisë, ku korrupsioni ka kapur nivele të frikshme, ku niveli përgatitor i gjykatave është i tillë që ka nevojë të kalojë në sitën e të ashtëquajturit “vetting”, atëherë duhet vërejtur se dyshime të konsiderueshme nuk kanë sesi të mos bien mbi formulimin e zgjedhur për nenin në fjalë, veçanërisht përsa i përket ndërthurjes së interesave të mbrojtjes së ndërsjelltë dhe personale midis politikës dhe gjyqësorit.
Ky nen respekton dhe pasqyron direktivat europiane në lidhje me parimet garantuese të së drejtës por, siç çdokush di, ligjet janë krijim autokton i vendit ku lind nevoja që ato të zbatohen dhe jo një copy – paste i formulimeve të vendeve me drejtësi të konsoliduar qindravjeçare. Ligjet i përshtaten terrenit, nivelit kulturor, mentalitetit, dijeve dhe aspiratave të një vendi.
Ato janë “pjellë e sistemit” dhe duhet të disiplinojnë fenomenet negative, të cilat shoqëria nuk mund t’i vetëadministrojë në mënyrë qytetare.
Rishikimi i nenit 449 k.p.p., na tregon diçka që bie ndesh me konstatimin e mësipërm. Fakti që tashmë nuk është më e mundur të rishikohen vendimet e pafajësisë, është shqetësues dhe bie ndesh me frymën e vettingut dhe me të gjitha përpjekjet që janë bërë dhe po bëhen për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.
Ky konstatim vjen si rezultat i një arsyetimi tërësor, që shkon, dhe nuk ka sesi të mos shkojë përtej argumentit rreptësisht juridik.
Ai lidhet me koordinimin e egzigjencave kombëtare në luftën kundër korrupsionit në peridhën e tranzicionit demokratik. De jure ky nen në pjesën e mos rishikimit të pafajësisë legjitimon të gjitha vendimet që deri më sot, gjykata të korruptuara kanë dhënë ndaj individëve “të aftë për të paguar” apo “mbështetës të gjykatësve në ngritje karriere”.
Gjithëcka tashmë është e qartë, askush dhe asgjë nuk ka nevojë për shpjegime.
Krimi politik por edhe ai ordiner tashmë me këtë Nen, AMNISTOHEN. Jo vetëm kaq, por ky nen kriminal për kombin shqiptar dhe dinjitetin e tij, mbyllet me cinizmin se kjo bëhet për qëllim që mos rëndohet pozita e të dënuarit, me pak fjalë mos i prishet rehati i tij kriminal edhe pse nga provat e mëpasëshme do të rezultojë fajësia e tij e provuar.
Ky ndryshim ligjor kriminal, nuk u shoqërua me asnjë relacion, ekspertizë ose analizë, ku duhej të shkruhej sic Kushtetuta dhe teknika legjislative e parashikon, pse duhej ky ndryshim, cfarë rrethanash e kërkuan, në cfarë studimi bazohet.
Ky nen, në kushtet aktuale të shoqërisë shqipëtare është i parakohshëm, jashtë qëllimit spastrues të sistemit nga padrejtësia dhe korrupsioni, si dhe bie ndesh haptazi me ligjin e Vettingut, i cili synon “rilindjen” e drejtësisë shqipëtare, duke ndëshkuar korrupsionin, mediokritetin dhe konfliktet e interesit të lidhur me pushtetin.
Bazuar në argumentet e mësipërme të përpiluara nga ekspertë të fushës juridike, ne kerkojme nga Presidenti I Republikes mos ta dekretoje këtë ndryshim ligjor! (E.K/SHUPLAKA)