Sociologia Entela Binjaku ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit Arben Imami përsa i përket deputetes Jozefina Topalli për mosfutjen në listat e kanidatëve për deputete e PD-së.
Imami është shprehur vetëm një ditë më parë nga studio “Opinion” e Blendi Fevziut nuk hiqet nga lista si kandidate për deputete Jozefina Topalli dhe të futen në listë nga Basha shtëpiake që kanë pjellë 3-4 herë. “Nuk mund të hiqet Jozefina Topalli nga listat. Ai hoqi Topallin dhe vuri në listë shtëpiake që s’kanë bërë asnjë punë se kanë pjellë nga 3-4 fëmijë”, ka thënë Imami.
Sipas Binjakut deputeti Imami duke treguar pakënaqësinë e tij përdori edhe një shprehje që ka ngarkesë të lartë ndjeshmërie gjinore, e cila tregon më së miri trajtimin me përçmim të gruas kur vjen puna në statusin e saj jashtëfamiljar, aftësinë e saj për të lindur si të barazvfleshëm me aftësinë riprodhuese të kafshëve dhe e gjitha kjo në një kohë kur e gjithë bota flet për rritje të pozitës së gruas në shoqëri.
“Në mbrëmjen e kaluar një ndër politikanët e lartë të vendit, në një nga programet më të ndjekura televizive shprehet i revoltuar për zhvillimet brenda forcës së vetë politike. Ndër të tjera, duke treguar pakënaqësinë e tij ai përdor edhe një shprehje që ka ngarkesë të lartë ndjeshmërie gjinore. “Gjuha shpreh mendimin” thonë e kjo mënyrë të shprehuri krijon revoltë tek gjinia e etiketuar por në vetëvete tregoi edhe një problem real në shoqëri: ai i trajtimit me përçmim të gruas kur vjen puna në statusin e saj jashtëfamiljar, aftësinë e saj për të lindur si të barazvfleshëm me aftësinë riprodhuese të kafshëve dhe e gjitha kjo në një kohë kur e gjithë bota flet për rritje të pozitës së gruas në shoqëri.”, shprehet Binjaku.
Më tej sociologia thekson se përçmimi mund të interpretohet edhe ndaj nënave me shumë fëmijë, si shumica e nënave shqiptare janë apo kanë qenë.
“Më tej akoma përçmimi mund të interpretohet edhe ndaj nënave me shumë fëmijë, si shumica e nënave shqiptare janë apo kanë qenë. Dhe kur mendon që ky politikan ka ndikim dhe pasues të qëndrimit të tij publik, shqetësimi duhet të jetë edhe më i madh. Megjithatë ka një shprehje që thotë “jo çdo e keqe vjen për keq” edhe kjo shprehje solli në qendër të vëmendjes pozitën e dobët të gruas shqiptare, mendësinë dominuese të burrit më pushtet dhe ndihmoi në çeljen një debati mbi trajtimin që i bëhet gruas shqiptare ku ndryshe thuhet për të, ndryshe mendohet se është dhe ndryshe veprohet kur është fjala për të marrë vendime. Kjo është kudo mbizotëruese edhe pse hapa përpara bëhen, por janë të paktë, të pamjaftueshëm dhe shumë të vegjël!”. përfundon sociologia. (J.V/Shuplaka)