Nga Enton Abilekaj
Fotografia e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, 1 ditë pas Kongresit, u përdor si një mesazh për ata që nuk u kënaqën nga Kongresi i PD. Vërtetë Kongresi nuk e bashkoi dot partinë, vërtetë një pjesë e delegatëve i lanë karriget bosh dhe nuk e votuan statutin e ri, por Basha e quajti kapitull të mbyllur.
Pasi kërkoi falje për gabimet, pasi u shtriu dorën kundërshtarëve, ai filloi axhendën si lider i opozitës. Monika Kryemadhi u vetëofrua si alibi për këtë. Pavarësisht akuzave nga kundërshtarët e Bashës në PD dhe jashtë saj, pavarësisht akuzave nga kundërshtarët e LSI, ata janë një opozitë e konfirmuar me votë.
Basha është konfirmuar si lider i këtij bashkimi, që ende nuk ka terma zyrtarë, por ka disa aksione të përbashkëta. I vetmi problem është që nuk mjafton. Sado të bashkohen, numrat nuk mund ta zhbëjnë maxhorancën, janë ende larg.
Përçarja dhe diversioni politik po e reduktojnë akoma më shumë në numër opozitën parlamentare, kontrolli i Ramës mbi ekonominë dhe mediat sa vjen dhe shtohet, opozita zyrtare, edhe po të ishte e besueshme, nuk është e mjaftueshme.
Kontrolli i Ramës mbi ekonominë dhe mediat, ndërsa dobëson opozitën zyrtare, shumëfishon opozitën jo zyrtare. Ka një opozitë në Universitet, me pedagogë dhe studentë, që janë kundër ligjit të Arsimit të Lartë dhe kundër menaxhimit qeveritar.
Po nga Universiteti, por përtej Universitetit, pedagogë të njohur, kanë shpallur opozicionin jo vetëm ndaj shkatërrimit të sistemit arsimor, por ndaj qeverisjes në përgjithësi. Ndërsa paraja mblidhet për t’u përqendruar në pak duar, është krijuar edhe një opozitë e të papunëve, punëtorëve të paguar keq, bizneseve të vogla e të mesme, ndërsa qeverisja bëhet më klienteliste, krijohet edhe opozita e bizneseve të mëdha që po xhirojnë me humbje.
Lëshimi pa duar i shëndetësisë nëpër klientë pa ekspertizë, ka krijuar opozitën e të sëmurëve pa ilaçe, e pacientëve pa mjekë e pa spitale, e mjekëve pa kushte pune, e infermierëve që duan të ikin sa më parë në Gjermani. Dhënia e industrisë minerare tek shokët dhe ortakët, ka krijuar opozitën e minatorëve dhe naftëtarëve, tarifimi i Rrugës së Kombit ka krijuar opozitën e kuksianëve që u shpalos edhe në Kuvendin e PD. Pikërisht kjo e fundit, tregoi se puna e Bashës, jo vetëm që nuk ka filluar, por as nuk është në drejtimin e duhur.
Me një ‘mea culpa’ dhe shtrirje dore nga show-Kuvendi, mund të mbajë vendin e kryetarit të PD, mund të bëhet shef i opozitës zyrtare, por nuk mund të bëhet lider i opozitës. Opozitat e tjera, ato që përbëjnë shumicën dhe japin shumicën, i janë larguar. Ibsen Elezi u bë simbol i këtij largimi. Me pak fjalë tregoi pse Lulzim Basha nuk ka arritur ta përfaqësojë atë, ashtu si nuk mund të përfaqësojë kuksianët.
Takimi me Monika Kryemadhin dhe ekspozimi i tij si nisje e aksionit opozitar, në kë kontekst nuk bën optimist as vetë ata që pozuan para fotografit të PD-së. E kundërta ndodhi. Vetëm një ditë pas Kongresit, Astrit Patozi e shpalli largimin nga PD dhe u nis në drejtim jo aq të paditur, por të pashpresë. Një ndarje e re, që vetëm dobëson të dyja palët. Pas kësaj mund të thuhet që PD doli më e dobët nga Kongresi.
Kongresi propagandistik nuk ishte zgjidhja për të bashkuar opozitat e papërfaqësuara. Ato duan dikë që të denoncojë mënyrën se si sillet qeveria pa I fshehur emrat e atyre që përfitojnë, të denoncojë situatën pa ruajtur emrat e shkaktarëve. Nuk duan një kryetar të vetëemëruar, por përpjekje dhe dialog, program për të luftuar sistemin autokratik dhe oligarkik me të gjithë elementët e tij, edhe me koston që disa biznesmenë afër PD dhe PS të mos e kenë më dorën e lirë ne tepsinë e buxhetit.
Nëse nuk bashkohen këto opozita, dhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë betejë shifrash me militantë dhe votues tradicionalë, rezultati dihet që sot, PD do të jetë e humbur, opozitat e tjera të dëshpëruara.