Zëdhënësja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Grida Duma, ka folur sërish për rastin e banesave në Shkozë, të cilat janë parashikuar të prishen për shkak të projektit për rrugëtimin e Lanës.
E ftuar në Ora News, Duma është shprehur se procesi i legalizimit ka nisur shumë më përpara se të bëhej projekti i bashkisë dhe shumë prej banorëve kanë hedhur kursimet e gjithë jetës në ato ndërtesa, të cilave nuk u njihet legalizimi.
Ndërkohë ka përmendur edhe rastin e fëmijës 6-vjeçar, që ka qëndruar për orë të tëra në rajon në pritje të të atit.
“Ky problem është me muaj dhe mua ata banorë ma kanë bërë me dije që projekti më i madh është miratimi i një projekti për rrugëtimin e Lanës. Ky projekt prek 153 familje që kanë një mesatare midis 10 dhe 22 vite që jetojnë aty. Para zgjedhjeve u shkuan vlerësuesit e zyrës së legalizimin dhe u dhanë disa letra se si ua kishin matur pronën. Sot gjenden të gjithë bashkë përpara një fakti: nuk kanë të drejtën për t’u legalizuar. Momenti që banorët kanë të drejtë është fare i thjeshtë. Procesi i legalizimit ka nisur shumë më përpara se të bëhej projekti i bashkisë.
Mënyra si janë trajtuar është masakër e vërtetë. U kanë thënë që nuk u njihet e drejta e legalizimit dhe do t’u trajtojmë me statusin e pastrehut, ku shumë kanë shtëpi dykatëshe të ndërtuara me kursimet e gjithë jetës. Sot ata janë të vetëdijshëm se ai projekt do të bëhet dhe të merret prona e tyre dhe të shpronësohet sipas tregut.
Unë ju paraqes certifikatat e pronësisë së tyre, ku PD do t’i përfshijë në dosje për t’u afruar asistencë atyre. Sa u përket atyre që kanë certifikatë pronësie plotësisht të qartë, u kanë thënë se për ta do të vendoset më vonë. Për të mos thënë atë faktin e trishtë që 12 vjeçarin e kanë mbajtur për 6 orë në rajon. Ai është në traumë psikologjike dhe nuk dimë se si mund t’i kërkojmë ndjesë këtij fëmije, i cili nuk jeton në një vend në luftë por në një vend normal, ku nuk pritej kjo sjellje.”, janë fjalët e zëdhënëses së PD-së. (D.D/Shuplaka)