Nëse Vllaznia ka pasur një pikë të fortë që ka dalluar mbi skuadrat e tjera të Superiores këtë sezon, ai është shënimi i golave. Që nga faza e parë e kampionatit e deri më tani ku sezoni është futur në fazën e katërt dhe finale të tijën, kuqeblutë kanë qenë ekipi, cili ka shënuar më shumë. Këtë e konfirmuan edhe dy golat e fundit në fitoren 2-0 kundër Partizanit.
Të besuarit e Brdariç në këtë mënyrë u ngjitën në kuotën e 46 golave sezonalë pas 28 javësh kampionat. Duke qenë në këtë mënyrë skuadra që ka shënuar më shumë deri në këto momente. Pas 9 herë kampionëve të vendit, si ekipi që ka shënuar më shumë pas 28 javësh vjen Dinamo me 42 gola e ndërsa mbyll treshen e parë Egantia, me rrogozhinasit që kanë shënuar 39 herë deri më tani.
Ajo që kënaq tek Vllaznia është se golat janë të shpërndarë në 14 futbollistë deri më tani, duke treguar se shkodranët kanë opsione të shumta për të gjetur golin. E ndërsa sulmuesit e ekipit e kanë gjetur të gjithë minimalisht një herë rrjetën deri më tani me Balajn (14), Dodajn (5), Çoba (3), Gruda (3), Delaj (1) dhe Mensah (1).