Studentët vijojnë prej më shumë se dy javësh protestën e tyre kundë Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, ku kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave uljen e tarifave të studimit, heqjen e tarifës shtesë për përsëritësit, përmirësimin e kushteve të konvikteve, vetingun e pedagogëve etj.
Në krah të protestës ka dalë edhe “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, me president Joe DioGuardi.
Në deklaratën në përkrahje të studentëve, thuhet: “Protestat e tanishme të studentëve në Tiranë dhe nëpër qytete tjera të Shqipërisë janë një indikator i drejtëpërdrejtë që shpirti liridashës dhe respektues për demokracinë në Shqipëri është ende gjallë e i fortë. Studentët me të drejtë kanë insistuar që të mos ketë dialog me Qeverinë derisa kërkesat e tyre bazë të jenë plotesuar”.
Më tej organizata inkurajon studentët që të vijojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Duam t’i inkurajojmë studentët në Shqipëri që të vazhdojnë tubimet paqësore gjerësa kërkesat e tyre të jenë realizuar, sepse një shoqëri e ndritur investon në arsimim të rinisë së saj sepse studentët gjithëherë mbrojnë të drejtat e veta dhe janë shpresa e një kombi të lirë”, – shkruhet në deklaratë.
(B.B/ Faxweb.al)