Dhjetra libanezë zhvilluan të shtunën një protestë të shkurtër brenda një banke në Bejrut dhe një tjetre në jug të Libanit. Sipas tyre bankat janë joefikase e të korruptuara.
Libani po përballet me krizën e tij më të fortë ekonomike në dekada. Prej muajit tetor vendi është ngërthyer nga protestat kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Monedha vendase ka pësuar një rënie të fortë, duke humbur më shumë se 40 për qind të vlerës së saj pas rreth 20 vitesh stabilitet në raport me dollarin. Bankat kanë vendosur kontrolle të pashembullta të kapitalit për të mbrojtur depozitat e tyre në mesin e një krize të thellë besimi. Pushimet nga puna dhe ulja e pagave janë shndërruar në normë dhe politikanët vazhdojnë polemikat për formimin e qeverisë së re.
Dhjetra vetë hynë në një bankë private në Beirut, duke protestuar kundër kontrollit të kapitalit dhe thanë se askush nuk do të largohej pa marrë paratë e tyre. Bankat kanë vendosur një tavan tërheqjeje prej 200 dollarësh në javë për shumicën e llogarive, ndërsa kanë bllokuar plotësisht transferimet jashtë vendit.
Më 29 tetor Kryeministri Saad Hariri u detyrua të japë dorëheqjen, por vazhdon të jetë në detyrë deri në zgjedhjen e një kryeministri tjetër. Më 19 dhjetor u propozua për postin e kryeministrit Hassan Diab i cili mbështetet nga grupi militant Hezbollah dhe aleatët e tij. Por ai nuk arriti të fitojë mbështetjen e grupeve kryesore të myslimanëve suni. Hassan Diab-i kundërshtohet edhe nga protestuesit që e shohin atë si pjesë e elitës qeverisëse dhe e akuzojnë për korrupsion./VOA