Senatori amerikan John Mccain ka mbërritur sot për një vizitë në Tiranë. Ai ka shkuar pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë, për të zhvilluar një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta.
Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta bashkëkohore.
Gjatë këtij diskutimi mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA duhet të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit.
Senatori amerikan John McCain ka mbërritur në Tiranë vetëm pak orë më parë. Ai u prit sot nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori Donald Lu.
Gjatë qëndrimit të senatorit McCain në Rinas, ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli e njohu me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë për të vijuar në këtë drejtim, të bindur se jemi në rrugën e duhur.
Po kështu senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane. Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.
Gjithashtu ministrja Kodheli u ndal edhe te kontributi i vendit tonë si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, kontribut të cilin ministrja Kodheli e cilësoi të duhur dhe të drejtë. (J.V/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1589″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]