Kreu i partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistët.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati akuzoi qeverinë aktuale, që sipas tij ka çuar pensionistët e vendit tonë në mjerim.
Berisha tha se qeveria anuloi ligjin që garantonte ilaçe me standardet të BE-së për interesat e mafias.
Sali Berisha: Shpreh përuljen time për të gjithë kontributin që ju keni dhënë në këtë vend për Shqipërinë. Shpreh gjithashtu keqardhjen time të thellë dhe dhimbjen për faktin se ju shkritë energjitë tuaja, mendjet tuaja, aftësitë tuaja për zhvillimin e këtij vendi dhe sot ndodheni në një gjendje pakrahasimit më të vështirë në rrafshin ekonomik se sa bashkëmoshataret tuaj në çdo vend tjetër.
Një pjesë e juaja jeni në vështirësi serioze për ushqimin e ditës, për ilaçet që rëndom duhen në këtë moshë dhe për kujdeset tjera të nevojshme. Jetoni të shumtit nga ju nga ndihmat që ju dërgojnë familjarët tuaj, sepse pensionet janë pensione të padenja dhe në këtë kontekst, në këtë kuadër dua t’u them se qëndrimi ndaj jush është qëndrim ndaj dinjiteti njerëzor. Njeriun të cilin e bën të jetojë në varfëri i dhunon dinjitetin.
Në 12 vite e keni provuar se pensionet tuaja janë rritur shumë më pak se sa çmimet. Këta anuluan ligjin që garantonte ilaçe të standardeve që shiteshin në BE, e bën për interesat e mafias.
Ju sot jeni shtresa më e injoruar në mënyrën më të pamerituar. Nuk ka diskutim që pensionet bazohen në fondin e pensioneve.