Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se Parlamenti Europian është qesharak dhe jo serioz.
Juncker pasi konstatoi se në sallë ishin vetëm 30 vetë nga 751 anëtarë gjithsej deklaroi se nuk do të merrte më pjesë në një seancë të tillë.
Në seancën e PE-së e cila vazhdon në Strasburg janë diskutuar aktivitetet e zhvilluara në periudhën 6 mujore të Maltës e cila presidencën e radhës të BE-së ia ka dorëzuar Estonisë.
Duke qëndruar në një dhomë pothuajse boshe në Strasburg, ai e denoncoi seancën si “qesharake, plotësisht qesharake”. Juncker tha se shfaqja e dobët tregoi se parlamenti nuk ishte “serioz”.
Ai tha se asambleja në Strasburg do të ishte e plotë në qoftë se debati kishte përfshirë figura të fuqishme si Presidenti francez Emmanuel Macron apo kancelarja gjermane Angela Merkel.
Komentet e Juncker tërhoqën vëmendjen e presidentit të PE-së Antonio Tajani, i cili i kërkoi Junckerit që të tregojë më shumë respekt.
“Zotëri President, mund të keni një qëndrim më të respektueshëm, mund ta kritikoni Parlamentin, por nuk është punë e Komisionit për të kontrolluar parlamentin,” tha Tajani.
Juncker u tha disa deputetëve në Dhomë: “Unë kurrë nuk do të marrë pjesë më në një takim të këtij lloji”.
Juncker falenderoi Kryeministrin maltez Jozef Muskat për rolin e vendit të tij në Këshillin e radhës të Presidencës së BE dhe përsëriti se Parlamenti duhet të ketë më shumë respekt për vendet më të vogla.
PE është e përbërë nga 751 ligjvënës të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga 28 shtetet anëtare të BE-së, ndërsa Komisioni është organi ekzekutiv i BE. (B.H/Shuplaka)