Ndryshe nga takimet përgatitore në turin e Shteteve të Bashkuara dhe nga ai në Supërkupën e Italisë, ndaj Kaljarit Juventusi ishte një tjetër skuadër.
Bardhezinjtë e drejtuar nga Allegri ishin shumë agresivë dhe këmbëngulës duke vënë diktatin e tyre që në sekondat e para të takimit të zhvilluar në “Allianz Stadium” të Torinos.
E pikërisht falë kësaj loje, kampionët e Serisë A nisën mbrojtjen e titullit me një fitore të pastër 3-0 ndaj sardëve. Golat u shënuan nga treshja e sulmit. Mandzukiç ishte ai që zhbllokoi lojën, ndërsa Dybala dyfishoi në sekondat e fundit, pak minuta pasi miqtë humbën një penallti të fituar falë sistemit VAR.
Në pjesën e dytë Higuain ishte ai që vulosi rezultatin, ndërkohë që në këtë takim debutuan si zëvendësues blerja e fundit e bardhezinjëve, Matuidi dhe Douglas Costa.