Kreu i Lëvizjes “Zgjidhja” brenda Partisë Socialiste Koço Kokëdhima tregon se kryeministri Edi Rama ka dashur ta përjashtojë nga partia. Këto deklarata ish-deputeti socialist i ka bërë i ftuar në studion e emisionit “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit.
“S’kam dhe nuk do kem kurrë ngarkesa personale as me Ramën as me ndonjë politikan tjetër shqiptar. Strategjia politike e Ramës ndaj “Zgjidhjes” ka qenë ta nxjerrë jashtë PS-së, debatin ta mbyllë dhe të na përjashtojë nga partia. Veprimet që bëri me mua janë në përputhje me këtë strategji. Por kjo nuk është mënyra e duhur, nuk mund të mbyllet debati, “Zgjidhja” ka ardhur si nevojë e socialistëve të bazës. Shumë njerëz janë me “Zgjidhjen” sepse tezat e “Zgjidhjes”, po t’i lexojmë e kuptojmë se çdo qytetar dhe çdo socialist është me to.
Kauza e parë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, socialistët e vërtetë duan zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo qytetar tjetër shqiptar, nëse fiton vullnerti i popullit fitojnë të gjithë. Edhe nëse PS-ja fiton zgjedhjet por me manipulime, kemi humbur ne si socialist dhe kanë fituar një grup biznesesh me 5 persona që qeverisin me këto manipulime.
Po them diçka që e kam përsëritur edhe më parë, popullin e kanë zhveshur nga të gjitha të drejtat e tij, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku qytetari s’ka të drejtë të votojë në referendume, në votim të drejtpërdrejt, nuk zgjedh dot as këshilltarët e bashkive, as kandidatët për deputet, kandidatët për kryetar bashkië, kandidatët për president, asgjë… Të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptar i zgjedhin kryetarët e partve. I pyesim shqiptarët në Kukës, Berat, Shkodër, Elbasan: Kush doni ti zgjedhë përfaqësuesit tuaj, partia apo populli. Si do përgjigjen ata?
Vendin tonë e qeverisin vetëm një grusht njerëzish, 5 kryetarë partish dhe tre ambasadorë i qeverisin shqiptarët. Jo qytetarët! Këta votojnë thjesht partitë. Ndërkohë që nuk ka një shembull të vetëm në botë, kur populli nuk ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e tij dhe s’merr pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në qeverisje.”, tha Kokëdhima. (D.D/Shuplaka)