Fiks Fare denoncoi veprimet e Policisë Rrugore të Tiranës, e cila i ka vendosur gjobë një hajduti se lëvizte me motorr pa siguracion, kontroll teknik dhe pa patentë me mjetin e vjedhur
Megjithëse hajduti është arrestuar dhe proceduar, pronari i motorrit po sorollatet prej disa muajsh nga Policia Rrugore.
Afrim Pasmaçiu tha se në muajin dhjetor 2018 i vodhën motorrin te puna. “Motorrin e kisha lënë në parkim, nuk e përdorja. Bëra denoncim në Policinë e Tiranës dhe për disa javë nuk mora asnjë përgjigje. Pas disa javësh më lajmërojnë se e kanë gjetur motorrin, në fakt ai që e kishte vjedhur ishte futur vetë në polici dhe u kishte thënë ‘jam shefi i krimeve’. Nuk e arrestuan në atë kohë, megjithëse kishte bërë një vjedhje. Kaluan edhe disa javë dhe mësoj se personi që më kishte vjedhur motorrin ishte arrestuar sërish, kësaj here me armë. Unë doja veç motorrin dhe kam bërë disa kërkesa në policia dhe prokurori për ta marrë” thotë Afrimi.
Më pas pohon se pas përpjekjeve del një urdhër i prokurorit në datën 8 shkusht, për “kthimin e sendeve të sekuestruara”. Në urdhër thuhet se motorri me targa AA 571 t’i kthehet pronarit Afrim Pasmaçiu. “Shkoj dhe e marr në pikën e bllokimit. Pa dalë akoma motorri nga pika e bllokimit, më vjen një punonjëse e policisë dhe pret një fletë gjobe, në emër të Sazan Mandrit, pra atij që e kishte vjedhur motorrin. Si masë plotëson që motorrit t’i hiqet leja e qarkullimit. Kjo gjobë kaloi në komision dhe askush s’më lajmëroi. Në datën 8 mars 2019, komisioni i Policisë Rrugore konfirmoi gjobën në emër të z.Sazan Mandri, pra të atij që e kishte vjedhur motorrin” thotë denoncuesi.
Në gjobë thuhet se “drejtuesi i mjetit qarkullon me mjet pa kryer kontrollin teknik të mjetit me më shumë se një muaj dhe pa kryer sigurimin e detyrueshëm të mjetit. Mjeti nuk ka leje drejtimi dhe ky shtetas dhe motorrin e ka vjedhur, është proceduar”. Në fund, komisioni vendosi që ky procesverbal është i rregullt dhe e gjobiti hajdutin me 150 mijë lekë (të vjetra). “Tani unë shkoj lart e poshtë dhe askush nuk më jep zgjidhje. Unë nuk dua ta përdor motorrin, pasi jam në emigrim. Vetëm dua të bëj çregjistrimin. Po bëj disa muaj dhe më thonë të shkoj në gjykatë. Përse të shkoj unë në gjykatë?” pyet qytetari.
Më pas, denoncuesi shkon në Policinë Rrugore, për të pyetur për këtë gjobë. Takon një punonjës policie dhe i tregon problemin. Punonjësi i policisë i thotë se kjo gjobë ka kaluar në komision dhe nuk mund të marrë masa Policia Rrugore. Polici i thotë se ke të drejtë, por vendimi është marrë. Ai i thotë se e vetmja rrugë për qytetarin është që ta ankimojë vendimin e komisionit në Gjykatën Administrative. Në fund, polici i thotë se “të ndihmoftë Zoti!”.
Qytetari shko në Policinë Rrugore në Tiranë
Qytetari – Mua më kanë vjedhur motorrin dhe kanë vënë gjobën në emër të hajdutit! I kam letrat të gjitha, denoncimet të gjitha. Po kam dy javë që sillem vërdallë, thash së mos ishin hapur sot.
Qytetari 2 – Atë të drejtën se gjejmë dot neve, vetëm shteti e ka të drejtën.
Qytetari – Sot qenka… paskam ardhur kot sot unë shefi!
Punonjësi i policisë – Nesër janë në punë.
Qytetari – Nesër janë në punë?! Unë jam për një çështje tjetër mo burrë. Unë s’kam lidhje, kam lidhje me komisionin.
Punonjësi i policisë – Komision pra, ai është…
Qytetari – Më ishte vënë gjoba në emër të hajdutit.
Punonjësi i policisë – Po komisioni e vendos atë.
Qytetari – Ia ka vendosur gjobën hajdutit, ia ka vënë 150 mijë lekë.
Punonjësi i policisë – E tashti…
Qytetari – E si?
Punonjësi i policisë – E ke ti për ta paguar ëëë? Motorri është i joti?
Qytetari – Motorri është i imi, është vjedhur…
Punonjësi i policisë – Po hajduti ku është?!
Qytetari – Ku e di unë ku është hajduti!
Punonjësi i policisë – Në burg?
Qytetari – Se di.
Punonjësi i policisë – Si se di ti?! Edhe e quan hajdut tjetrin dhe s’e di se ku është?
Qytetari – Orë unë a kam bërë denoncim.
Punonjësi i policisë – Po shumë mirë, hajde bëje denoncim dhe hajde…
Qytetari – Motorri ka qenë i bllokuar te 3-shi (Komisariati). Kam shkuar, ka ardh…
Punonjësi i policisë – Një sekondë. Duke qenë motorri i bllokuar është vendosur gjoba ëë? Apo motorri ka qenë në ecje? Se në ecje duhet ta ketë ndaluar ai.
Qytetari – E ka vjedh pra!
Punonjësi i policisë – Ku e vodhi, brEnda në komisariat e vodhi?
Qytetari – E vodhi brenda në ambient, në shtëpi.
Punonjësi i policisë – Po mirë ta ka vjedhur te shtëpia. Ti ke ditën kur ta ka vjedh, sot.
Qytetari – Po mirë pra, i kam bërë të gjitha veprimet.
Punonjësi i policisë – Ti i ke bërë sot denoncimin, shko te drejtoria e asaj Tiranës dhe bën ankesën! Më kanë vendosur gjobë padrejtësisht.
Qytetari – Po shkova atje.
Punonjësi i policisë – Ça të thanë atje?
Qytetari – Duhet 5 ditë tha që të ashtu… Unë s’kam qenë këtu. Duhet 5 ditë se të ka kaluar afati i asaj…
Punonjësi i policisë – Ankimimit?
Qytetari – Ankimimit. Eee.
Punonjësi i policisë – Në gjykatë.
Qytetari – I shkon vetëm në gjykatë me e zgjidh këtë pjesë?!
Punonjësi i policisë – Po, vetëm gjykata. Ndërsa këtu e paske njoftu, edhe te Drejtoria e Tiranës e ke njoftu, atëherë vetëm gjykata të paska ngelur.
Qytetari – Rrugë tjetër s’ka?
Punonjësi i policisë – S’ka rrugë tjetër. Si ka mundësi që ty ta kanë vunë gjobën, ta kanë vu gjobën… Gjobën janë detyru me ta vënë se kanë shkelësin ata. Nuk e dinë ata kush është hajduti atje brenda.
Qytetari – E ka procesverbali!
Punonjësi i policisë – Po pra. Po mirë s’e nuk e ka procesverbali, se s’ka qenë prezent ajo. Ka qenë jo prezent shoferi. Drejtuesi i mjetit s’ka qenë këtu.
Qytetari – Drejtuesi i mjetit ka shkuar vetë megjithë motorr, se s’është kapur në flagrancë.
Punonjësi i policisë – Ore edhe njëherë, drejtuesi s’ka shkuar në komision o shok.
Qytetari – Po mirë s’ka shku, skam shkuar as unë as ai se s’e dijsha, se më tha hajde pas 1 muajsh pas 2 muajsh ajo. Kur të dali komisioni.
Punonjësi i policisë – Jo mor zotëri, 30 ditë është komisioni. Për ça është ajo? Për heqje patente? Apo për siguracion.
Qytetari – Për siguracion se s’ka pasur letra motorri o burrë.
Punonjësi i policisë – Siguracion, kolaudim 150 mijë lekë gjobë.
Qytetari – Se s’ka pasur letra.
Punonjësi i policisë – Po mirë pra. 150 mijë lekë e merr gjobën.
Qytetari – Po.
Punonjësi i policisë – Dhe duhet të paguash nja 120. Nëqoftëse ka…
Qytetari – Kjo është që në mars…
Punonjësi i policisë – Ohoooo. Vetëm gjykata ta zgjidh.
Qytetari – Vetëm gjykata ëë?
Punonjësi i policisë – Se ata i paske njoftu ti.
Qytetari – Po këtu kam ardhur, ka 1 muaj që merrem me këtë. S’kam ç’të bëj. Ik o shefi, të uroj shëndet.
Punonjësi i policisë – Ta dëgjofsha zërin e mirë dhe Zoti të ndihmoftë. Ça të them unë tani, halli hall është.
Qytetari – Në dorë të Zotit kena ngel!/TCH