Bisedimet për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit pritet të rifillojnë në Katar ndoshta që të dielën, thanë zyrtarët egjiptianë. Bisedimet do të shënonin herën e parë që zyrtarët izraelitë dhe ata të Hamasit ulen në tryezë që nga fillimi i muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, anijet e marinës amerikane kanë filluar ndërkohë operacionin e urdhëruar nga Presidenti Joe Biden për ndërtimin e një porti të përkohshëm që do të mundësonte dërgimin e përditshëm të ndihmave në Gazë.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë patën shpresuar se do të siguronin një armëpushim gjashtëjavor përpara se të fillonte Ramazani, por Hamasi refuzoi çdo formë marrëveshjeje që nuk do të sillte një armëpushim të përhershëm në Gazë, një kërkesë që u refuzua nga Izraeli.
“Mund t’ju them se po punojmë intensivisht me Izraelin, Katarin, Egjiptin, për të përafruar qëndrimet dhe për të arritur një marrëveshje. Kemi bisedime që po zhvillohen edhe në këto momente që unë po flas këtu dhe jam i bindur se këto përpjekje do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim”, tha nga Vjena Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ndërkaq anijet e Shteteve të Bashkuara po lundrojnë drejt Gazës në një mision humanitar, të urdhëruar nga Presidenti Joe Biden. Objektivi është ndërtimi i një porti të përkohshëm në brigjet e Gazës ku do të shkarkohen ndihmat e ardhura me anije.
“Sapo të ndërtohet dhe të jetë gati për të kryer misionin, ne do të jemi në gjendje të dërgojmë 2 milionë vakte ushqimore në ditë”, thotë gjenerali amerikan Brad Hinson.
Por, ekspertët thonë se procesi kërkon kohë dhe është i kushtueshëm.
“Logjistika e përbashkët në bregdet është e improvizuar. Mënyra më e mirë për të dërguar ndihmat do të ishte me kamionë”, thotë ish-koloneli në ushtri Myles Caggins, tashmë në Institutin New Lines.
Por kamionët dhe qendrat e shpërndarjes së ndihmave janë sulmuar dhe palestinezët po përballen me uri.