Është kaq afër nesh, por ndoshta shumë pak prej jush e diën legjendën e famshme të një foshnje.
Historia vjen nga Elbasani, ku flijimi i një fëmije, solli në jetë një pemë madhështore.
Buzë rrugës në fshatin Lleshan, Dushku i Lleshanit, ndodhet një dushk që populli e mbron, i shërben si të ishte një gjë e gjallë këtë monument natyror me shumë vlera.
Sipas legjendës, kjo madhështi lindi nga flijimi i një foshnjeje me një lende dushku në grykë. Nëna dhe babai bënë të pamundurën për foshnjën e tyre të vogël që ta kthenin përsëri në jetë, por jo.
Dushku i ka hapur degët e tij në një fushë të madhe dhe pret çdo kalimtar të rastit për t’u ulur nën hijen e tij, si dhe për të shijuar ujin e ftohtë që rrjedh shumë pranë.
Legjenda e foshnjës
Një mesoburrë i quajtur Nikolla, është ulur pranë dushkut dhe në dorë mban ende një cigare, edhe pse duket se ka kohë që është fikur.
Ai mban mend nga gjyshi dhe stërgjyshi i tij shumë detaje nga historia e këtij dushku pesëshekullor shkruan “Konica.al”,.
“Rreth 700 vjet më parë, një çift të rinjsh bashkë me djalin e tyre 3 vjeç, vinin nga zona të thella të Zavalinës për të shkuar në Lleshan, apo ndoshta më poshtë në Shelcan.
Të rraskapitur nga rruga në këmbë, ata ndalen në këtë dushk, i cili ishte shumë herë më i vogël se ky. Nën hijen e tij përpiqen të pushojnë sadopak për t’iu kthyer sërish rrugëtimit të gjatë.
Të lodhur dhe të etur për ujë, çifti për një moment e largon vëmendjen nga djali.
Ai gjeti një lende dushku me të cilën po luante. Pa e ditur rrezikun e i uritur, vogëlushi e përtypi atë dhe gjithçka merr fund këtu.
Prindërit e tij vendosën që ta varrosin shumë pranë këtij dushku, ndërsa pema u pre.
Një gropë e vogël dhe një gurë mbi të tregonte se këtu prehej një djalë 3-vjeçar.
Por nuk kaloi më shumë se një vit dhe, për çudi, një filiz mbiu pikërisht nga varri, mbi trupin e djalit 3-vjeçar.
Sipas Nikollës, gojëdhënat thonë se lendja që fëmija përtypi, mbiu në barkun e tij, hapi rrënjët thellë në tokë dhe një dushk i madh u rrit pikërisht mbi trupin e njomëzakut.
E veçanta është se, për shkak të klimës, në zonën e Shpatit rrallë sheh dushqe, këtu nuk mbillen pemë të tilla dhe ky dushk është një ndër të vetmit që vazhdon të jetojë e të gjelbërojë në çdo stinë.
Dhe gojëdhënat thonë se “më pas me amanetin e tyre, prindërit e djalit u varrosën pranë këtij dushku, e kështu me radhë të gjithë pjesëtarët e familjes.
Tashmë rreth tij ndodhen shumë varre të cilat prehen nën krijesën e foshnjës.
Të moshuarit e rrëfejnë si një legjendë, por historia ruhet ashtu si është, nuk ka deformime, veç fjalë e fjalë, të paharruara për 500 vite.
E sa e sa vite e shekuj do të kalojnë, dushku tregon se nuk do të plaket kurrë.
Kurdo që të shkosh, ai është i njëjtë, i gjelbër, i cili të fton vetiu të ulesh pranë tij dhe të bisedosh me të, duke pirë një cigare apo ujin e ftohtë, i cili nuk dihet se nga vjen.
(F.M/Faxweb)