Presidenti i vendit Ilir Meta ka bërë publike 14 pyetje që ai ka bërë në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, për gjeneral Sandër Lleshin, të propozuarin e Edi Ramës për ministër të Brendshëm.
Një nga shqetësimet më të mëdha që Meta ngre është statusi i gjeneral Lleshit, pasi nëse ai ka një status aktiv, Kushtetuta nuk e lejon që ai të mbajë një detyrë tjetër publike, siç është ajo e ministrit.
Po ashtu një nga pikëpyetjet që presidenti Meta ngre, është beteja ligjore që Sandër Lleshi ka fituar me shtetin, pas lirimit të tij nga detyra me urdhër të Bujar Nishanit.
Lleshi ka përfituar dëmshpërblim nga shteti disa paga, ndërkohë që në të njëjtën kohë ka qenë në postin e Këshilltarit të Edi Ramës për Sigurinë, ku merrte po ashtu një pagë nga Buxheti i Shtetit.
Ligji për Nënpunësit Civil parashikon që një dëmshpërblim fitohet në rast se personi nuk është duke ushtruar një detyrë tjetër publike.
Një tjetër ngërç që presidenti ka ngritur është ajo e mbiemrit të ministrit të ri Sandër Lleshi apo Sandër Lleshaj.
Shkresa e Metës mban datën 9 Nëntor, ndërsa ende duket se nuk ka një përgjigje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, drejtuar nga Olta Xhaçka.
”Duke qenë se kandidatura e Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues është autoritet civik, në zbatim të neneve 69,103,167/1 të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese.
Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhjen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra.
Megjithëse kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë cështje dhe për pasojë të tjera që mund të lidhen me të.
Për më tepër, që në njoftimin fillestar të kryeministrit në rrjetet sociale të datës 27 tetor 2018, por edhe në dalje të tij publike, z.Sandër Lleshaj propozohet për emërim si ministër i Brendshëm, duke e trajtuar atë me gradën “Gjeneral””, thuhet mes të tjerash në shkresën e presidentit Meta.
Po ashtu lidhur me dekretin për Lleshin kryeministri Rama ka kërkuar sot intepretimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vijon jashtë funksionit prej disa muajsh. Vetëm dy nga anëtarët e saj janë konfirmuar në detyrë nga ana e Vetingut.
(E.K/FAXWEB.AL)