Pasi nuk dogji mandatin e deputetes, Rudina Hajdari, mes emocioneve ka shpjeguar dhe vendimin e saj në foltoren e Kuvendit.
Hajdari foli dhe për një rrymë të re politike, ndërsa denoncoi marrëveshjet e fshehta që janë bërë mes palëve në vendin tonë.
Pjesë nga deklarata e Hajdarit në Kuvend:
Politikë që nuk do t’a dijë për të ardhmen e mijëra familjarëve, largimin masiv të qytetarëve, vlerat, moralin, paqen dhe jetën duhet të marrë fund.
Kjo politikë e ushqyer nga korrupsioni, nepotizmi dhe lufta ndaj ,endemi të lirë e të pavarur na ka sjellë në këtë situatë të pazakontë, nuk është hera e parë që paqëndrueshmëria politike kërcënon stabilitetin e vendit.
Marrëveshjet e fshehta kanë sjellë që për tre dekada të mos i ndahemi thirrjes që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, unë u rrita me këtë thirrje, ne të rriturit u plakëm.
Nëse nuk heqim dorë nga etja për pushtet pa princip këtë thirrje do ta dëgjojmë nga fëmijët tanë.
Pyetja që bëri Ramiz Alia në atë takim, ishte: Doni pluralizmin e mendimit apo pluralizmin partiak? Ne pse zgjidhëm atë partiak nuk ndërtuam dot kurrë kulturën demokratike brenda grupimeve tona.
Pra dorëzimi i mandateve në bllok për të shpejtuar një kalim të pushtetit është përshkallëzim ekstrem i sjelljes politike të këtyre 28 viteve.
Ripërsëritja e krizave të brendshme në prag të vendimit për celjen e negociatave na ekspozon në mënyrë të rrezikshme ndaj influencave të tjera.
Nuk duhet vendi të shihet faktor destabilizues në Ballkan, por të ndërtojë ura zhvillimi me vendet e rajonit për të garantuar ecurinë drejt rrugës euroaltantike.
Të mos lejojmë që të bëhemi shembull i rrezikshëm në sytë e botës. Një qeveri që vazhdon të mos pranojë me arrogancë gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve, mosluftimi i krimi të organizuar, vrasjet në qendrat e qyteteve, abuzimi me fëmijët, papunësia, largimi masiv i qytetarëve, janë epidemi shkatërruese për vendin. Kjo qeveri e dalë nga fitore gjysmake e votuar nga 23% e shqiptarëve nuk do tja dijë më as për mbështetësit e saj. Keqpërdorimi i fondeve publike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor ka shkatërruar besimin e çdokujt.
Unë ashtu si cdo deputet që është këtu, jam përgjegjese para zgjedhësve të mi, që më kanë votuar, por edhe atyre që nuk më kanë votuar. Një ditë do të gjykohem për rezultate, ose jo, asnjë nuk e gjykon dot vendimin tim, unë do të bëj hapa të sigurtë drejt parimeve të mia, larg politikës së vjetër. Do vij me propozime konkrete. Arsyeja pse jam në politikë dhe qëndrova në Kuvend është se dua të sjell frymë të re parlamentare që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit në vend.