Shkrimtari i madh Ismail Kadare, në intervistën e dhënë për ër gazetaren Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur”, deklaroi për Fatos Lubonjën se e urrente babain e tij Todi Lubonjën.
“Ky ka patur vërtet atë që njihet si urrejtje ndaj të atit, siç është e ndërtuar edhe teoria e Frojdit. Unë nuk besoj fort në këtë teori, por kjo përkrahet kudo në botë sot”, deklaroi Kadare.
Por Fatos Lubonja këto deklarata i ka konsideruar shpifje.
“Ky e lidh me gjyqin këtë deklaratë. Unë mendoj se nuk urrej njerëzit, pro veset e tyre, të keqen si ves. Por kjo pak rëndësi ka. Në rastin konkret, mua më duhet ta konsideroj këtë një shpifje, një interpretim malinj, të dokumenteve që ka nxjerrë ky me disa të tjerë, të manipuluara”, u shpreh Lubonja.
Gjithashtu Fatos Lubonja ka folur edhe për disa letra që ka shkëmbyer me babain e tij, në një nga letrat që i ka dërguar atij i ka thënë se “Dajreja” është sëmurë. “Dajre i thonim Enverit”, thotë Fatos Lubonja, ndërësa shton se pikërisht për këtë janë pyetur të dy, edhe Fatosi edhe babai i tij Todi.
“Por duke mos patur mundësi komunikimi, që të binim dakord të thonim të njëjtën gjë, ne thamë gjëra të ndryshme. Babai tha se fjala “dajreja”, ishte në kuptimin është sëmurë daja, por unë nuk dija gjë, dhe e pranova që ishte Enveri. Ndaj ai thotë se kam kundërshtuar babain. Por unë më vonë e ndryshova, sajova një histori tjetër, me idenë që jemi keqkuptuar”, tha Lubonja, ndërsa deklaratat e Kadaresë I konsideroi shpifje.
“Kjo është një shpifje e ulët që hyn në marrëdhëniet familjare në mënyrën më skandaloze. Të gjithë ata që e kanë kurdisur këtë bashkë me të, e bëjnë për të denomizuar dhe delegjitmuar kundështarët e tyre”, tha ai. (B.H/Shuplaka)