Stephan Lichtsteiner mbron Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për festimin e golave me shqiponjë.
Stephan Lichtsteiner, ka mbrojtur shokët e skuadrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për festimin me shqiponjë pas golave në fitoren 2-1 kundër Serbisë.
“Kemi pasur shumë presion, nuk ishte aspak vendim i lehtë”, tha Lichtsteiner për Goal, shkruan Lajmi.net.
“Kemi shumë shqiptarë, kështu që ka shumë histori mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ishte ndeshje e vështirë, sidomos për ta”.
“Festimi i golave? Ishte bukur, pse jo? Kjo është historia e tyre”, tha mbrojtësi. “Lufta mes tyre ka qenë shumë e vështirë. Kam folur me babain e njërit prej lojtarëve tanë që është shqiptar dhe më ka treguar për këtë histori. Kjo është më shumë se futboll, është më shumë se futboll sepse lufta u ka krijuar atyre shumë probleme”, shtoi ai.
“I kuptoj ata. Mendoj se është normale, është pjesë e jetës së tyre. Mos harroni, ka pasur provokime të shumta para ndeshjes nga Serbia. Kështu që mendoj se është normale”, shtoi mes tjerash Lichtsteiner.
Kujtojmë që serbët kanë shpërthyer pas festimit me simbolin e “shqiponjës” nga ana e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit pasi e kanë konsideruar një provokim.
Ata kërkojnë që ndaj dy futbollistëve shqiptarë të merren masa në lidhje me gjestin e tyre. (B.H/Faxweb)