Ekpserti i ekonomisë, Enriko Ceko deklaroi se gjatë vitit 2020 nuk do të kemi një rritje ekonomike të mirë. Nga studio e “FaxNews”, ai u shpreh se pritshmëritë e qeverisë për rritjen ekonomike janë të larta, por theksoi se nuk realizohen dot. Sipas tij, qeveria duhet t’i ketë këmbët në tokë, ndërsa e quajti kabinetin qeveritar si më të pashkollin në këto vite.
“Unë mendoj që rritja ekonomike do të jetë 2.1, 2.2%. Ne nuk kemi produkt apo shërbim gjithë-vjetor. Nuk e kemi këtë mundësi. Duke patur një ekonomi që 6-mujorin e parë është e stopuar dhe ka vetëm kosto për shkka të tërmetit, nuk mund të themi se do të kemi rritje ekonomike. 6-mujorin e dytë do të kemi rritje ekonomike, por jo të mjaftueshme.
Duhet të jemi me këmbë në tokë. Duke mashtruar veten tonë, ne mashtrojmë edhe të tjerët. Ky kabinet qeveritar është kabineti më i pashkolli që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ka një piramidë hierarkie, menaxhimi i nivelit të lartë, të nivelit të mesëm dhe të nivelit të ulët. Në Shqipëri të gjithë bëjnë sikur i dinë të gjitha. Kemi një administratë publike që është një kosto shumë e madhe për buxhetin e shtetit”, u shpreh ai.
I pyetur për koncesionet në vend, eksperti deklaroi se ata duhet të ndalohen menjëherë sepse po përfitojnë vetëm të implikuarit në këto skema dhe jo qytetarët.
“PPP është i mirë në parim, në teori dhe ka shumë vende që e kanë aplikuar më shumë sukses këtë veprimtari ekonomike në interes të qytetarëve. Nga mënyra si është aplikuar në Shqipëri, duket si interes i atyre që janë futur në lojë. Kemi çështjen e prokurimeve publike që në 6 vitet e fundit kanë ardhur në rënie. Duhet patjetër të heqim dorë nga koncesionet dhe PPP.
Duhet të heqim dorë nga ndërtimi i inceneratorëve sepse janë dhënë para, por landfillet i kemi të mbushura me mbetje. Koncesionet që janë dhënë në fushën e shëndetësisë dhe koncesionet e tjera që janë parashikuar”, tha Enriko Ceko.
Ai shfaqi rezerva edhe për skemën e sigurimeve shoqërore në vendin tonë. Sipas ekspertit, kjo skemë ka dështuar. Si zgjidhje, ai dha futjen e sektorit privat në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Skema e sigurimeve ka dështuar sepse drejtoria nuk ka aq para sa të japë pension të mirë për ata që janë sot pensionistë. Skema aktuale e sigurimeve shoqërore është një skemë që nuk i lejon drejtorisë së përgjithshme që paratë që janë grumbulluar të investohen në skema fitimprurëse.
A ka zgjidhje? Ka zgjidhje, i duhet krijuar hapësirë sektorit privat të pensioneve që njerëzit që janë në punë sot, të paguajnë në skema private. Atyre u duhet dhënë leja për të investuar që të kenë mundësi të paguajnë edhe pensionet”, theksoi Enriko Ceko për “FaxNews”.
(M. I./ Faxweb.al)
Discussion about this post