Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, në bashkëpunim me forcat e Frontex-it, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, u bë e mundur ndalimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, rezident në Greqi, i cili tentoi të hynte në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, në afërsi të një karburanti pranë PKK Kakavijë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën në çantën e tij të shpinës disa zarfe me një shumë prej 160 000 euro, të cilat 41-vjeçari po përpiqej t’i fuste në territorin shqiptar pa i deklaruar në pikën kufitare, siç kërkohet nga ligji.
Pas verifikimeve të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. Sh. ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e kishte dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale të “Vjedhjes”.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga ana e DVP Tiranë u bë ndalimi i tij, ndërsa materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Policia Kufitare dhe Frontex theksojnë se do të vijojnë me kontrolle të shtuara për të garantuar sigurinë kufitare dhe për të parandaluar çdo aktivitet të paligjshëm.